Aplikacion
Hantavirusi ka ngritur shqetësim edhe në Itali, ku autoritetet shëndetësore kanë vendosur nën mbikëqyrje katër persona që dyshohet se kanë pasur kontakt me një paciente të infektuar, e cila humbi jetën në Afrikën e Jugut.
Ministria italiane e Shëndetësisë bëri të ditur se personat në fjalë udhëtonin në të njëjtin fluturim me gruan dhe tashmë po ndiqen sipas protokolleve të sigurisë shëndetësore.
Sipas autoriteteve, të dhënat e pasagjerëve janë shpërndarë te rajonet përkatëse italiane, përfshirë Toskanën, Kampanian, Veneton dhe Kalabrinë, me qëllim monitorimin e situatës.
Në Firence, një grua është vendosur në karantinë parandaluese dhe po i nënshtrohet testeve mjekësore për të verifikuar nëse është prekur nga virusi. Autoritetet lokale sqarojnë se kontakti me viktimën nuk ka qenë i afërt apo i zgjatur, por masat janë marrë për kujdes maksimal.
Ndërkohë, Ministria italiane e Shëndetësisë ka aktivizuar procedurat e vlerësimit të rrezikut në bashkëpunim me OBSH dhe Qendrën Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Sipas vlerësimeve aktuale, rreziku për popullsinë mbetet i ulët, ndërsa autoritetet theksojnë se situata po monitorohet vazhdimisht për të shmangur çdo përhapje të mundshme të virusit./ Zoom.al