zoom

Bota

Alarm në kroçerën luksoze në Francë, dhjetëra persona të sëmurë. Po qarkullon një virus i ri

Alarm në kroçerën luksoze në Francë, dhjetëra persona të sëmurë. Po qarkullon një virus i ri

Dhjetëra pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit në anijen turistike “Ambition”, kanë shfaqur simptoma të një sëmundjeje gastrointestinale gjatë një udhëtimi në Francën perëndimore dhe Spanjë.

Kompania “Ambassador Cruise Line” konfirmoi se aktualisht janë identifikuar 49 raste aktive në bord, megjithatë numri i të prekurve përbën më pak se 3% të personave që ndodhen në anije.

Sipas operatorit të kroçerës, simptomat u shfaqën pas nisjes së anijes nga Liverpuli dhe përfshijnë probleme tipike të një virusi të stomakut. Kompania deklaroi se po e trajton situatën me seriozitet maksimal dhe ka vendosur masa të forta higjieno-sanitare për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

Autoritetet franceze të shëndetësisë kanë nisur kontrolle rutinë në bord dhe kanë marrë mostra për analiza laboratorike në spitalin universitar të Bordeaux-it. Rezultatet pritet të dalin pas disa orësh testimi.

Ndërkohë, kompania ka sqaruar se rastet e raportuara nuk dyshohet të kenë lidhje me hantavirusin, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit pas incidenteve të tjera të raportuara në anije turistike.

Dyshimet janë për norovirusin, që prek sistemin tretës dhe përhapet shumë shpejt mes njerëzve. Ai përhapet nga ushqimi, uji i ndotur ose kontakti me persona të infektuar. Shpesh shpërthen në ambiente me shumë njerëz si anije turistike, shkolla apo hotele. Shkakton kryesisht probleme në stomak dhe zorrë.

Për shkak të situatës, aktivitetet e planifikuara për pasagjerët janë anuluar, ndërsa kompania ka premtuar rimbursim të plotë për çdo aktivitet të pezulluar. Pasagjerët do të lejohen të zbresin nga anija vetëm pasi autoritetet shëndetësore të japin miratimin përkatës./ Zoom.al

Postime të lidhura