zoom

Lajme

Gjendet një trup i pajetë në Qipro, dyshime se i përket një biznesmeni

Gjendet një trup i pajetë në Qipro, dyshime se i përket një biznesmeni

Autoritetet në Qipro kanë gjetur trupin e pajetë të një burri në një zonë bregdetare të ishullit.

Zbulimi ka ngritur dyshime se kufoma mund të lidhet me zhdukjen e biznesmenit rus 56-vjeçar, Vladislav Baumgartner, i cili rezulton i humbur që prej datës 7 janar në Limasol.

Menjëherë pas sinjalizimit, forcat e Policisë së Qipros, së bashku me personel të Bazave Sovrane Britanike, mbërritën në vendngjarje për të rrethuar zonën dhe për të nisur procedurat hetimore.

Në terren ishin të pranishëm edhe drejtues të lartë të policisë lokale dhe oficerë të njësive hetimore, të cilët po koordinojnë veprimet për zbardhjen e rrethanave.

Sipas burimeve zyrtare, trupi ndodhet në një fazë të avancuar dekompozimi, çka e bën të pamundur identifikimin e menjëhershëm vizual. Për këtë arsye, autoritetet kanë vendosur që kufoma të transportohet në morgun e Bazave Britanike, ku pritet të kryhet autopsia mjeko-ligjore dhe analizat e ADN-së nga specialistë të certifikuar.

Deri në përfundimin e këtyre procedurave, Policia nuk ka konfirmuar nëse trupi i përket biznesmenit rus të zhdukur. Hetimet për rastin e Baumgartner janë përqendruar më herët në zonën e Pissourit dhe në veçanti në Kavo Aspro, ku telefoni i tij celular ka dhënë sinjalin e fundit përpara se të humbnin gjurmët.

Zyra e Mjekësisë Ligjore në Limasol bën me dije se, në këtë fazë, nuk përjashtohet asnjë pistë në lidhje me shkakun e vdekjes, ndërsa hetimet mbeten të hapura.

Sipas përshkrimit të dhënë nga autoritetet, biznesmeni rus është rreth 1.90 metra i gjatë, me trup të hollë dhe flokë gri. Në momentin e zhdukjes, ai kishte veshur pantallona të shkurtra të zeza dhe një bluzë të zezë me mëngë të shkurtra. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që mund të disponojnë informacione të vlefshme të kontaktojnë strukturat hetimore në Limasol.

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë se zhdukja u sinjalizua fillimisht nga persona të rrethit profesional të tij, pasi ai kishte ndërprerë çdo komunikim./ Zoom.al

Postime të lidhura