Aplikacion
Nga redaksia e Zoom.al
Në një fushatë elektorale që ka nisur më herët dhe më me vrull se zakonisht, debati publik po bëhet sa më i ashpër, aq edhe më i degraduar.
Kryeministri Edi Rama e nisi me fyerje nga më të ultat për liderin e opozitës, Sali Berishën, të cilin e etiketon si “bufi i kënetës”, i publikon thuajse përditë nga një buf të gjeneruar me inteligjencë artificiale apo të vjedhur nëpër faqe të ndryshme interneti dhe së fundi i ka bërë edhe një film multiplikativ, ku skenarist e regjisor duket se është ai vetë.
Më pas u përfshi në një seri replikash me Lulzim Bashën, tek i cili gjeti si gjithnjë kundështarin që duhet “masakruar” në rrjetet sociale, ku Basha duhet thënë se ka një popullaritet domethënës si personazh memesh.
Ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen qenë replikat me këngët dhe tekstet e reperit nga Kosova, Unikkatil, i njohur më së shumti për tekstet e tij të mbushura me sharje gjithçfarësh, kërcënime, fyrjere e gjuhë të dhunshme.
Si Rama ashtu edhe Basha, treguan se vetëm për ca vota më shumë, mund të bien fare lehtë në nivele të Unikkatil -it në vend që të përballen me argumente për çështje reale që prekin shqiptarët. Si strategji, Lulzim Bashës i nevojitet një dorë nga Rama për t’u bërë sërish një farë faktori, ndërsa Ramës i duhet Basha që ta përçajë edhe me tej opozitën në këto zgjedhje, me shpresën se Basha mund t’i marrë vota të konsiderueshme Berishës.
Por le të ndalemi tek degradimi i komunikimit publik dhe shembulli që Rama e Basha u dhanë shqiptarëve të të gjitha moshave; adoleshentëve, të rinjve, prindërve të tyre, etj.
Po të analizosh tekstet e Unikkatil, këngët e të cilit u sollën në vëmendje të një publiku të gjatë prej Ramës e Bashës, sheh që ata janë të mbushur me një gjuhë jashtëzakonisht të ashpër, me sharje të rënda, dhunë verbale dhe mesazhe të papërshtatshme për brezin e ri dhe që shkon kundër vlerave qytetare.
Ja disa prej vargjeve të Unikkatil:
“Ju q*n krejt, ju ka q* edhe karrjera…”
“Hajde kur t’qohet, kallxoj p*derave tu…”
“Jau q* familjen te tonve, ju myti, ju shkeli, ju kalli…”
Tani, kujt ia tregojnë Edi Rama dhe Lulzim Basha këtë tekst rrugaçësh? Prindërve, gjyshërve, të rinjve, mësuesve, mjekëve, administratës, magjistratëve.
Kur kryeministri dhe një ish -pretendent për kryeministër përdorin një shembull të tillë publikisht, çfarë mesazhi i japin shoqërisë?
Tani imagjinoni për një moment Olaf Scholtz, Frederich Mertz, Joe Biden, Donald Trump, Marine Le Pen, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni, Mateo Renzi, apo edhe Erdogan e Imamoglu të përdornin tekstet e reperëve gangster si Eminem, 2Pac, 50 Cent, DMX etj.
Ky shembull na shërben më së paku për të parë realisht se kush është “perëndimori” që shet përditë ëndrra me pasaporta europiane dhe po ashtu se çfarë janë të aftë të bëjnë për pak vëmendje të ngjashmit e tij.
Në vend që të ofrojnë një model të shëndetshëm komunikimi me ide e premtime reale, promovojnë modelet Unikkatil e Noizy, me tekste të denjë për një gjuhë rrugësh, duke legjitimuar në kulturë komunikimi ku sharjet nga më të rëndomtat dhe fyerjet nga më të paimagjinueshme bëhen normë.
Të rinjtë shqiptarë po ekspozohen në këtë fushatë përballë një realiteti të vështirë; nga njëra anë shohin prindër, të afërm dhe mësues që përpiqen t’i edukojnë e t’i mbajnë larg gjuhës së dhunës dhe të rrugës dhe nga ana tjetër kryeministrin e vendit që u shet si normalitet diçka që e kanë të ndaluar në shtëpitë e tyre, e që edhe vetë kreu i qeverisë e ka të ndaluar në shtëpinë e tij. Po aq të ndaluar duhet ta ketë edhe Lulzim Basha.
Po shohin gjithashtu dy fytyrat e politikës; që nga njëra anë organizojnë aktivitete kundër bullizimit, nga ana tjetër u mësojnë brezave të rinj se sa normale është të sulmodh dikë me gjuhë fyese e me sharje.
Ky degradim i debatit publik fatkeqësisht nuk prek vetëm Ramën e Bashën. Si njerëz që zënë jo pak hapësirë publike në media e platforma të tjera komunikimi, degradimi i tyre prek të gjithë shoqërinë dhe velerat e saj.
Janë jo të paktë ata që nuk e shohin si ndonjë rrezik këtë lloj komunikimi dhe kërkojnë që debati të fokusohet tek ideja se Edi Rama po bën shumë për vendin, aq sa për 5 do të jemi në BE. Por nëse do të tolerojmë gjuhën degraduese të tij do të ishte njësoj sikur të kemi një pasaportë europiane në dorë dhe në faqen e saj të parë të jetë e shkruar “F*ck You”.