zoom

In Zoom

Dokrrat e hinit me negociata dhe antarësim në BE

Dokrrat e hinit me negociata dhe antarësim në BE

Nga Redaksia e Zoom.al

Kryeministri Edi Rama vazhdon t’u thotë shqiptarëve se Shqipëria do t’i mbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027 dhe do të bëhet anëtare me të drejta të plota brenda vitit 2030. Por sa qëndrojnë deklaratat e tij? A do të mundet vërtet Shqipëria ta përmbyllë në një kohë rekord, të paparë ndonjëherë, procesin e gjatë të negociatave të antarësimit? 

Për të vlerësuar realizueshmërinë e këtij objektivi, le të shohim se çfarë ka ndodhur me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që negociatat me BE -në i kanë hapur shumë kohë përpara Shqipërisë. 

Shqipëria

Shqipëria i hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në korrik 2022. Në dhjetor 2024, gjatë konferencës së tretë ndërqeveritare BE-Shqipëri, u hap grup-kapitulli i dytë, që përfshin marrëdhëniet e jashtme. Por edhe sa do t’i duhet Shqipërisë të hapë grup-kapitujt e tjerë dhe ç’është më e rëndësishmja, kur do t’i mbyllë ato? Le të shohim se çfarë ka ndodhur me fqinjin tonë, Malin e Zi. 

Mali i Zi

Mali i Zi është konsideruar si vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit në BE. Negociatat u hapën në qershor 2012. Për 12 vjet me radhë, deri në dhjetor 2024, Mali i Zi ka hapur 33 nga 35 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 6 prej tyre.  Në dhjetor 2024, u mbyllën tre kapituj: Kapitulli 7 për të drejtën e pronësisë intelektuale, Kapitulli 10 për shoqërinë e informacionit dhe median dhe kapitulli i 20 për politikën e ndërmarrjeve dhe industrisë. 

Serbia

Serbia i hapi negociatat e anëtarësimit në janar 2014. Në 10 vjet, deri në tetor 2024 ajo ka hapur 22 nga 35 kapitujt e negociatave, por ka mbyllur përkohësisht vetëm 2 prej tyre.  Progresi i Serbisë është ndikuar nga çështje të ndryshme, përfshirë marrëdhëniet me Kosovën apo reformat në fushën e sundimit të ligjit. 

Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidat në 2005, por negociatat e anëtarësimit u vonuan për shkak të mosmarrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë. Në korrik 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare, duke shënuar fillimin zyrtar të negociatave. Megjithatë, procesi ka hasur në pengesa për shkak të kërkesave për ndryshime kushtetuese dhe çështjeve të identitetit kombëtar.

Krahasimi

Shqipëria ka hapur deri tani vetëm 2 grup-kapituj.

1. Grup-kapitulli i parë (“Themeloret”): Hapur më 15 tetor 2024, përfshin kapitujt mbi drejtësinë, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.  

2. Grup-kapitulli i gjashtë (“Marrëdhëniet e Jashtme”): Hapur më 17 dhjetor 2024, përfshin kapitujt mbi politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.  

Gjatë vitit 2025 Shqipëria synon të hapë grup-kapitujt e tretë, të katërt dhe të pestë.

Nga ecuria e vendeve fqinje kuptohet qartë se asnjëri prej tyre nuk i ka mbyllur negociatat brenda një dekade dhe ambicia e Shqipërisë për t’i mbyllur ato brenda 3 vjetësh e pabesueshme, në mos një tymnajë për efekt elektoral. 

Mali i Zi, pavarësisht se ka qenë në negociata për mbi 12 vjet dhe ka bërë përparime të konsiderueshme, ende nuk ka përfunduar procesin. Serbia, megjithëse ka hapur shumë kapituj, ka mbyllur vetëm disa prej tyre. Maqedonia e Veriut ka hasur në vonesa të konsiderueshme për shkak të çështjeve bilaterale.

Në këtë kontekst, objektivi i Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në 2027 dhe për t’u anëtarësuar deri në 2030 kërkon që vendi ynë të përshpejtojë reformat e brendshme, kryesisht në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike. Është po ashtu thelbësore të pasurit e një dialogu konstruktiv me vendet anëtare të BE-së dhe të adresohet çdo çështje bilaterale që mund të pengojë procesin.

Le t’i shohim të dyja këto aspekte.

Përsa i përket sundimit të ligjit, korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike Shqipëria përballet me sfida të konsiderueshme.

Raporti i Freedom House “Nations in Transit 2024” thekson se, pavarësisht përparimeve në reformat e sundimit të ligjit dhe përpjekjeve të SPAK për të nisur hetime për raste të korrupsionit të nivelit të lartë, shumë institucione publike mbeten jofunksionale për shkak të korrupsionit të përhapur dhe një kulture pandëshkueshmërie, duke minuar demokracinë dhe sundimin e ligjit.  

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2024 të Transparency International, Shqipëria shënoi 42 pikë nga 100, duke u renditur në vendin e 80-të nga 180 vende. Ky rezultat tregon një përmirësim prej 5 pikësh krahasuar me vitin e kaluar, por korrupsioni mbetet një problem i rëndësishëm në sektorin publik.  

Raporti “Freedom in the Ëorld 2024” i Freedom House vëren se korrupsioni dhe ryshfeti mbeten probleme madhore, duke ndikuar në funksionimin e institucioneve demokratike.  

Përsa i përket marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe vendet anëtare të BE, Shqipëria ka ende të pazgjidhura disa çështje me Greqinë, siç është përcaktimi i kufirit detar. Arrestimi i Fredi Belerit tregoi se sa të brishta janë marrëdhëniet mes dy vendeve, me Greqinë që deklaroi se kjo do të kishte pasoja direkte në procesin e integrimit. 

Në këtë dritën e këtyre fakteve, deklaratat ambicioze të kryeministrit Edi Rama, duke konsideruar se antarësimi në BE do të varet vetëm nga meritat e Shqipërisë, ngjajnë me ato dokrrat e hinit, që zakonisht në fushata elektorale përzihen me propagandën për t’u shitur shqiptarëve iluzione dhe ëndrra me Europën dhe me pasaporta europiane, të cilat nujk qëndrojnë pëballë realitetit të vështirë me të cilin përballet Shqipëria dhe shumica e shqiptarëve, që e shohin vetë përditë me sytë e tyre se ku janë në krahasim me Europën. /Zoom.al

Postime të lidhura