zoom

Lajme

Edi Rama dhe simbolika e një dore të kapur me thonj pas pushtetit

Edi Rama dhe simbolika e një dore të kapur me thonj pas pushtetit

Edi Rama vijon të tërheqë vëmendjen me simbolikat e postimeve të tij në rrjetet sociale. Një foto e tij e fundit paraqet një dorë që kapet fort me thonj pas një muri, si dora e dikujt që po rrëshqet ose po e tërheqin përposhtë, por që ai s’ka ndërmend të lëshohet.

Në përshkrimin e fotos, Rama shkruan: :Për Shqipërinë 2030 në BE. Për pashaportën europiane në dorën tënde. Për brezat që vijnë pas teje dhe për historinë tonë të përbashkët.”

Për shumëkënd dora në foto me 5 gishtat tregon numrin 5 në fletën e votimit, që i takon Partisë Socialiste.
Por për shumë të tjerë ajo mund të interpretohet si një metaforë e një njeriu të kapur fort pas pushtetit dhe që synon të qëndrojë me çdo kusht.

Sipas teorisë së “kapjes pas pushtetit” të studiuesve Brian Klaas (“The Despot’s Apprentice”, 2017) dhe Daniel Treisman (“The Return of the Authoritarian Great Powers”, 2007), liderët që kanë qeverisur për një kohë të gjatë shpesh zhvillojnë një lidhje psikologjike me pushtetin, duke e parë atë si thelbësor për identitetin dhe stabilitetin e tyre personal. Kjo mund të çojë në sjellje të tilla si refuzimi për t’u tërhequr, përdorimi i propagandës për të justifikuar qëndrimin e gjatë në pushtet dhe delegjitimimi i kundërshtarëve.

Në këtë kontekst, fotografia e Ramës mund të interpretohet si një simbol vizual i kësaj tendence: një dorë që kapet fort pas diçkaje, që sinjalizon një refuzim për të lëshuar kontrollin.

Ky imazh përputhet me konceptin e “sindromës së liderit të pakapërcyeshëm” (unbridgeable leader syndrome), që sipas politologut Yascha Mounk (“The People vs. Democracy”, 2018) është karakteristikë e liderëve që e lidhin të ardhmen e një vendi me qëndrimin e tyre personal në pushtet.

Edi Rama kërkon një mandat të katërt pas 12 vitesh në pushtet si kryeministër, ndonëse qeverisja e tij është shënjuar nga skandalet më të mëdha korruptive që ka parë ndonjëherë Shqipëria që nga shpallja e saj e pavarësisë më 1912 dhe pavarësisht pakënaqësisë së rritur në publik jo vetëm për këto skandale, por edhe për favorizim të një grupi të caktuar individësh e biznesmenësh, për pagat e ulta, për emigracionin e pjesës më vitale të shoqërisë, për jetën e luksit që bën teksa gjysma e popullsisë jeton në kufirin e varfërisë.

Kritikët e kanë parë gjithnjë Edi Ramën si një njeri të obsesionuar për të qëndruar në pushtet. Nga viti 1998 deri në vitin 2000 ai ishte ministër i Kulturës në qeverinë e Fatos Nanos. Nga viti 2000 deri në vitin 2011 ai ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës për 3 mandate, në njërin prej të cilëve pati akuza të forta për manipulim të garës elektorale, atë të vitit 2003 kundër Spartak Ngjelës.

Për disa ndjekës të Ramës në rrjetet sociale kjo foto është një mesazh që konfirmon akuzat për kapjen e shtetit dhe përpjekjet e tij për të mos lëshuar pushtetin.

“Të kruhen duart për para, fonde dhe PPP?” – shkruan një komentues. “Haram ai që të voton ty dhe Sali Berishën”. “Me pafytyresi do akoma pushtet” – vijon një tjetër.

Teksa ka dështuar me premtimet për shëndetësinë, arsimin, drejtësinë, rritjen e pagave e pensioneve, investimet në infrastrukturë etj, Edi Rama ka gjetur integrimin në BE si fabul për t’ua shitur shqiptarëve në këto zgjedhje. Ai po u premton pasaporta europiane, si një biletë të artë për në Eldorado, duke pranuar pa vetëdije se realiteti në Shqipëri është i padëshirueshëm për pjesën më të madhe të shqiptarëve.

Shqipëria vazhdon të përballet me probleme serioze të korrupsionit, varfërisë dhe emigracionit masiv të të rinjve. Vendi është larg standardeve europiane dhe Edi Rama akuzohet nga kundërshtarët dhe kritikët se nuk ka asgjë për të ndryshuar këtë realitet, përveçse ka krijuar oligarkë të rinj dhe ka fuqizuar një sistem të mbyllur ekonomik e politik.

Pikërisht i vetëdijshëm se në 12 vjet qeverisje ka dështuar në premtimet kryesore, Edi Rama ka zgjedhur një narrativë tjetër për t’u marrë shqiptarëve votën, gjithnjë nese vota nuk do të blihet apo manipulohet: Ai po u premton BE-në kur në fakt dora e tij tregon vetëm dëshirën e tij për pushtet personal dhe jo për problemet e shqiptarëve, të cilat kritikët thonë se ai jo vetëm nuk i ka zgjidhur dot, por i ka shtuar ato. /Zoom.al

Postime të lidhura