zoom

Lajme

Kur kryeministri merret me Ilir Vrenozin, ku ka mbërritur politika shqiptare?

Kur kryeministri merret me Ilir Vrenozin, ku ka mbërritur politika shqiptare?

Në një vend normal, një kryeministër ka punë. Merret me ekonomi, me energjinë, me politikat sociale, me buxhetin, me krizën e mjekëve që largohen nga vendi, me kriminalitetin që përgjak përditë rrugët e po vret edhe fëmijë, me korrupsionin që e ka mbërthyer shtetin për fyti, me të rinjtë që mezi presin të zhduken nga vendi i lindjes, me fshatra e qytete të braktisura.

Por në Shqipëri, ndodh ndryshe. Kryeministri del e merret publikisht me Ilir Vrenozin. Për ata që nuk e njohin, Ilir Vrenozi është një personazh i rrjeteve, shpesh vulgar, por i drejtpërdrejtë, demokrat i deklaruar, me video që kanë si objektiv sulmin dhe ironinë ndaj vetë kreut të qeverisë.

Sot Vrenozi postoi një video për të treguar se ishte telefonuar nga deputeti Niko Peleshi, i cili më pas ia ka kaluar telefonin vetë Edi Ramës. Sipas tij, kryeministri ka folur për rreth shtatë minuta me një ton të butë, miqësor, “si të ishin shokë të vjetër” dhe i ka thënë se ishte “fans” i videove të tij.
“Unë e shaj atë me gjithë familje”, tha Vrenozi, duke pyetur me habi se si mund të ishte Rama fans i videove të tilla.

Tallja e Vrenozit mesa duket e ka lënë keq Edi Ramën. A i keni parë ata pleqtë nëpër fshatra që tëbohen kur ndonjë nga fëmijët i prekin nga pas dhe ata tentojnë t’i qëllojnë me shkop? Ashtu fiks duket reagimi i kryeministrit ndaj Vrenozit. Kështu, Edi Rama vendos të reagojë. Plot 10 minuta, jo për ndonjë çështje me rëndësi kombëtare, por i foli Ilir Vrenozit për telefonatën dhe për faktin që Vrenozi nuk kishte pranuar të ulej me të në kafe.

Siç e ka zakon, kur mbi një të vërtetë ngre një thes të pavërtetash, kryeministri e pranoi telefonatën, por lëshoi insinuata për “nja dy lëvizje nga e vërteta” që sipas tij kishte bërë Vrenozi. “Puna është se unë kam edhe dëshmitarë” – tha Rama. Por ai nuk sqaroi se cilat ishin të pavërtetat e Vrenozit.

Pastaj kaloi në sulme të mjegullta ndaj opozitës që mbështet Vrenozi, duke i quajtur “çyrykë” disa individë që sipas tij kishin thënë se “Rama kishte tentuar ta blinte Vrenozin”. Në fakt, në mos ta bilte, ta përdorte për fushatë. Kjo është e sigurt. Përndryshe, ç’punë ka një kryeministër të flasë në telefon 7 minuta me një qytetar që nuk lë gjë pa thënë kundër tij dhe nuk lë gjë pa kritikuar për qeverisjen e tij?

I gjithë ky episod tregon shumë se si po kërkon ta bëjë edhe këtë fushatë Rama. Një herë me dajre, një herë me dy gishta, një herë me tallava, tani me personazhe të ndryshme që mendon se mund t’i përdorë sipas dëshirës, njësoj sikur po përdor Lulzim Bashën, për ta përçarë edhe më keq opozitën. Por Vrenozi të paktën tregoi më shumë dinjitet sesa dy fansat e Unikkatilit.

Fatkeqësisht ky është kulmi i një boshllëku politik. Kur nuk ke ç’të thuash për punët e shteti, kur sheh që krimin komandon kudo, që paratë e pista vendosin ku do të ndërtohet, çfarë do të ndërtohet dhe kush do të ndërtojë, kur bizneset nuk po gjejnë më punonjës se të gjithë ia kanë mbathur, atëherë merresh me të tillë personazhe. Kur nuk flet dot për arsimin, drejtësinë, shëndetësinë, për policinë, për bashkitë plot me të punësuar partiakë, prodhon retorikë, herë me Lulin, herë me Vrenozin.

Edi Rama po ia arrin në këtë mënyrë të zhvendosë vëmendjen nga dështimet, por nuk po shëron problemet. Ato ngelen aty. Rama mund t’i sugjestionojë shqiptarët që të mos shohin sa e sa gjëra që shkojnë keq në këtë vend, por sugjestionimi i tij nuk i zgjidh hallet, thjesht i fsheh ato.

Edi Rama mund të ketë kohë sa të dojë të merret me Lulin e Vrenozin, por nga kjo kohë humbet shoqëria, jo ai. Ai i ka në rregull punët e tij: shtëpi si kështjellë në rrëzë të Dajtit, 400 mijë euro apartament në qendër të Tiranës, nuk e vret mendjen si do të jetojë e ku do të jetojë apo nëse ia del dot me rrogën deri në fund të muajit. Për aq kohë sa shqiptarët u shkojnë pas gallatave të tij, ai do të vazhdojë të prodhojë të njëjtat rezultate. Mos prisni që 4 vitet e ardhshme paratë, tenderat, lejet e ndërtimit, hotelet në bregdet, vendet e punës me paga të majme t’i shpërndajë në të mirë të qytetarëve. Ai do të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë në këto 3 mandate; të gjejë ndonjë personazh tjetër për t’u marrë për të shpërqëndurar vëmendjen, teksa ujqërit dhe tigrat e tij do të bëjnë kërdinë në vathën e arkës së shtetit. /Zoom.al

Postime të lidhura