zoom

Aktualitet

(FOTO) Ky është Aleksandër Koçeku, u ekzekutua në Shkodër me breshëri plumbash

(FOTO) Ky është Aleksandër Koçeku, u ekzekutua në Shkodër me breshëri plumbash

Vijojnë hetimet për vrasjen e 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku, i cili humbi jetën mbrëmjen e së shtunës pas një atentati me armë zjarri në zonën e Kirit të Dukagjinit.

Sipas të dhënave paraprake, 40-vjeçari po udhëtonte me automjet në aksin rrugor Kir–Prekal, kur autorët i zunë pritë dhe hapën zjarr në drejtim të tij. 40-vjeçari i ekzekutuar është ky që shihni në foton e mëposhtme.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 25 gëzhoja automatiku, të cilat dyshohet se janë qitur nga e njëjta armë.

Hetuesit dyshojnë se kemi të bëjmë me një atentat të planifikuar me kujdes dhe se autorët kishin ndjekur më parë lëvizjet e 40-vjeçarit.

Nga të shtënat e shumta, Koçeku ka ndërruar jetë në vend. Trupi i pajetë u konstatua nga një kalimtar, i cili njoftoi menjëherë Policinë, ndërsa forcat e rendit dhe ekspertët e kriminalistikës mbërritën në vendngjarje për të kryer veprimet hetimore.

Hetuesit po analizojnë të gjitha provat materiale të mbledhura, si edhe po verifikojnë pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit që kishte ndjekur viktima para ngjarjes. Zona ku ndodhi atentati nuk rezulton të jetë e mbuluar nga kamera, çka e bën më të vështirë identifikimin e autorëve.

Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me një konflikt të hershëm mes familjeve Koçeku dhe Shkambi. Ky konflikt daton që nga viti 2017, kur Artan Koçeku, vëllai i viktimës, u dënua për vrasjen me armë zjarri të Angjelin Shkambit dhe aktualisht po vuan dënimin me burg.

Sipas dëshmive të familjarëve, Aleksandër Koçeku jetonte prej vitesh me frikën se mund të bëhej objekt i një sulmi hakmarrës dhe për këtë arsye tregonte kujdes të vazhdueshëm në lëvizjet e tij./ Zoom.al

Postime të lidhura