zoom

Aktualitet

Autorët i zunë pritë dhe qëlluan 25 plumba, a u ekzekutua Aleksandër Koçeku në Shkodër për 40 mijë euro

Autorët i zunë pritë dhe qëlluan 25 plumba, a u ekzekutua Aleksandër Koçeku në Shkodër për 40 mijë euro

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ekzekutimin e 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku, i cili u vra me armë zjarri në fshatin Lin, në zonën e Karmës së Kirit, përgjatë aksit Kir–Prekal.


Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në vendngjarje janë sekuestruar 25 gëzhoja automatiku, të gjitha të qëlluara nga e njëjta armë. Dyshohet se autori ose autorët i kishin organizuar një pritë viktimës dhe e kanë qëlluar me breshëri, pa i lënë mundësi reagimi.

Trupi i pajetë u zbulua nga një kalimtar i rastësishëm, i cili pa automjetin me Koçekun brenda dhe njoftoi menjëherë policinë.

Hetuesit kanë përqendruar punën në analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit të lëvizjes së viktimës, pasi zona ku ndodhi atentati nuk monitorohet me kamera.

pista kryesore e hetimit mbetet ajo e gjakmarrjes. Dyshimet lidhen me vrasjen e Angjelin Shkambit në vitin 2017, ngjarje për të cilën po vuan dënimin Artan Koçeku, vëllai i viktimës. Sipas dosjes hetimore të asaj kohe, konflikti kishte nisur për një borxh prej 40 mijë eurosh, por ishte thelluar edhe për shkak të një çështjeje nderi.

Familjarët e Aleksandër Koçekut kanë deklaruar se prej vitit 2017 jetonin në gjakmarrje dhe se 40-vjeçari lëvizte gjithmonë me kujdes nga frika e një sulmi. Edhe kushëriri i tij, Mark Koçeku, e ka lidhur atentatin me konfliktin e vjetër mes dy familjeve.

Ndërkohë, një tjetër element që po verifikohet nga hetuesit është fakti se Aleksandër Koçeku ishte nën hetim edhe në dosjen e vrasjes së 19-vjeçarit Pavlin Preka. Për këtë çështje, Prokuroria e Shkodrës kishte zgjatur vetëm pak ditë më parë afatet e hetimit me tre muaj. Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar autorin ose autorët e ekzekutimit.

Postime të lidhura