zoom

In Zoom

FAKTET/ Rastet kur Rama prodhoi lajme të rreme nga halli

Kryeministri Edi Rama u detyrua sot të kërkojë ndjesë pas publikimit të një lajmi të rremë se “Eagle Hills”, kompania offshore që do të ndërtojë Portin e Durrësit, ka ndërtuar edhe një projekt të ngjashëm me pallate shumëkatëshe edhe në Zagreb.

“1. Eagle Hills” kompania e Muhammed El Alabbar që do të ndërtojë Portin Turistik të Durrësit, e mirëpritur në Kroaci për të ndërtuar “Manhatanin e Zagrebit”, një investim sa një e katërta e Durrësit që konsiderohet shumë i rëndësishëm për zhvillimin e kryeqytetit kroat”, shkruajti Rama një ditë më parë duke publikuar një shkrim të BIRN.

 
Në pak minuta në Twitter-in e tij vërshuan komente dhe u publikuan shkrime të tjera që hidhnin poshtë variantin e kryeministrit. Projekti i “Eagle Hills”, me pronar Mohamed Alabbar ishte ndërprerë që në 2020.

Në Zagreb, mediat dhe opozita e kishin detyruar kryetarin e Bashkisë që të zbythej nga projekti për t’i dhënë tokë shtetërore kompanisë “Eagle Hills” për të ndërtuar pallate, njësoj sic do të bëjë në Durrës.

16 orë pas këtij postimi Rama publikoi një ndjesë në llogarinë e tij në Twitter.

“Postimi i djeshëm mbi “Manhatanin e Zagrebit”nuk reflekton të vërtetën e ecurisë së mëtejshme të projektit dhe kërkoj ndjesë për nxitimin!Një kontroll i thjeshtë do mjaftonte për të mos gabuar, por kush s’është gënjeshtar as bën sikur s’ka gjë as nuk justifikohet, po kërkon falje!”.

Por vec faljes për lajmin fake, kryeministri duhet të kërkojë falje edhe për qëllimin pse e përdori atë.

Rama e postoi shkrimin e vjetër, të vitit 2019, për të sulmuar të gjithë ata që e akuzojnë se ai po favorizon pa garë një kompani të huaj duke i dhënë 800 mijë metër katrorë tokë shtetërore.

Ai e përdori atë si kundër-argument se “Eagle Hills” ka ndërtuar edhe në vendet anëtarë të BE. Por e vërteta është se ajo ka ndërtuar vetëm në Beograd një projekt të dështuar dhe po tenton të ndërtojë edhe në Bjellorusi, përmes një skeme të fshehtë.

Në Shqipëri opozita e akuzon për mungesë transparence, mediat dhe gazetarët e pakapur i publikojnë fakte se si kompania nuk ka lënë asnjë garanci për ndërtimin e portit dhe si shteti do të marrë vetëm 2 % nga xhiroja vjetore e marinës, kur mund të kishte përfituar 35 % vetëm si pronare e tokës (LEXO ME POSHTE SHKRIMET E ZOOM.AL.

Por ky nuk është rasti i parë kur Rama përdor “fake news” për të justifikuar vendimet e tij të dyshimta. Në mars 2019 ai prodhoi një tjetër lajm të rremë për të justifikuar masat ekstreme të pandemisë.

Ai pati publikuar një video që tregonte se si policia në Spanjë po godiste me shkopinj gome qytetarët që kishin thyer karantinën. Në realitet ajo video ishte në Algjeri, ku policia e një prej regjimeve më brutale në planet rrihte disa protestues.

“E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit. Tani marr vesh që qenkan pamje nga Algjeria!”, shkruante ai.

Edhe në këtë rast ai e nxorri videon fake për të shmangur akuzat që po i vinin se po përdorte masa ekstreme ndaj popullsisë dhe se po i gjobiste pa të drejtë qytetarët që po i shkenin ato.

Le të supozojmë se kryeministrit ia dërgojnë këto lajme dhe ai nuk i poston qëllimisht duke e ditur se janë fake. Por pyetja që lind është se kush ia dërgon këto informacione të pakonfirmura, si mundet ai t’i postojë pa konfirmim për të bërë politikë me to dhe a ka shkarkuar nga puna ndonjë nga ndihmësit përgjegjës për këto skandale qeveritare? /Zoom.al