zoom

In Zoom

Kush janë vëllezërit serbë Kariç që do të ndërtojnë portin e Durrësit?

Ditën e sotme, përpara Kuvendit, Sali Berisha deklaroi se pas aferës së Portit të Durrësit qëndrojnë vëllezërit Kariç, të cilët sipas kryetarit demokrat njihen edhe si financues të Aleksandër Vuçiç dhe Aleksandër Lukashenko të Bjellorusisë.

“Dubai City në Durrës është mega afera më e madhe, në të cilën bashkohen Aleksandër Vuçic, Edi Rama dhe Aleksandër Lukashenko. Epiqendër e kësaj afere janë vëllezërit Kariç, që janë të mirënjohur si portofoli financiar i Aleksandër Lukashenkos. Kompanitë e Dragomirit, Nebojshës dhe gjithë familjes Kariç, kanë qenë kompani mbizotëruese këto vite në Bjellorusi dhe Beograd. Këto kompani janë të sanksionuara ashpër nga e gjithë bota e lirë. Atëherë, poseduesit e Ballit Ujor të Beogradit shitën kompanitë e tyre që i kishin të regjistruara në Qipro. I mori të gjithë Amaari i Edi Ramës. Kështu që ndërtuesit e vërtetë janë vëllezërit Kariç. Këtu del edhe një nga lidhjet me të fuqishme të Edi Ramës, që ka për flamur, flamurin e Beogradit, që ka për atdhe, Serbinë, që ka për zot, paratë që vjedh me Vuçiç,”- tha Berisha.

Por kush janë vëllezërit serbë Kariç dhe çfarë dihet ekzaktësisht për ta?

Familja Kariç ishte një nga më të pasurat dhe më me ndikim në vitet 1990 në Serbi, kur ky vend udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviç. Rënia e tij do të sillte zbehjen e forcës së Kariçëve.

Por gjatë dekadës së fundit, biznesmenët Kariç janë ngritur në majë të industrisë bjelloruse të pronave, duke siguruar përfitime të mëdha. Kritikët thonë se këtë e kanë arritur falë lidhjeve të afërta me Alexander Lukashenkon.


Vëllezërit Karić – Bogoljub dhe Dragomir – fillimisht u bënë të njohur si sponsorë të regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Miqësia e tyre me Lukashenkon ka dhënë përfitime jashtëzakonisht fitimprurëse për investimet në Bjellorusi, nëpërmjet firmës së tyre Dana Astra.

Bogoljub Karić, një biznesmen dhe politikan, i cili madje ka kandiduar për president të Serbisë, u akuzua për evazion fiskal dhe pastrim parash në Serbi. Nisur nga e gjitha kjo, ai iku në Bjellorusi, duke marrë një pasaportë Bjelloruse në vitin 2010. Pasi autoritetet serbe e pezulluan çështjen, Kariç mundi të kthehej në shtëpi, ndërkohë që biznesi i tij në Bjellorusi vijonte të lulëzonte.

Vëllai i Bogoljubit, Dragomir, është një konsull nderi i vjetër i Bjellorusisë në Beograd dhe kryetar i një grupi parlamentar të miqësisë Bjellorusia.

Në vitin 2009, ai priti Lukashenkon në një destinacion popullor serb, Kopaonik. Dragomir ka mbajtur takime zyrtare me Lukashenkon më shpesh se anëtarët e tjerë të familjes Karić.

Paraqitja e tij e fundit ishte në dhjetor 2021 kur Dragomir vlerësoi Lukashenkon, duke e quajtur atë “presidentin e tij:

“Shumë kompani perëndimore ende punojnë indirekt me Bjellorusinë përmes vendeve të treta. Sepse biznesi është si uji: ju nuk mund ta ndaloni atë, ai do të gjejë rrugën e tij,”- do të shprehej ai.

Në foto: Dragomir Kariç (në të majtë) dhe Lukashenko

Gjatë dhjetë viteve të fundit, vëllezërit Karić u bënë një nga zhvilluesit më të mëdhenj të pasurive të patundshme në Bjellorusi dhe kaluan mbi 170 milionë € përtej kufirit falë një marrëdhënie të ngushtë me Lukashenkon, ku nusja e tij, Liliya Lukashenko, e martuar me djalin e madh Viktar, punonte drejtpërsëdrejti për biznesmenët.

Lukashenko madje lëshoi dekrete duke liruar vëllezërit Karić nga procedura e nevojshme e ankandit të tokës – çka u kushtoi tatimpaguesit rreth 1 miliard dollarë, sipas OCCRP.

Gjithashtu, Lukashenko e përjashtonte biznesin e Kariçëve nga disa taksa të tjera, duke i lënë miqtë e tij të endeshin të lirë dhe të nxirrnin fitime të mëdha.

Në dhjetor 2020, BE dhe Mbretëria e Bashkuar sanksionuan Dana Holdings (Qipro) dhe Dana Astra (Bjellorusi). Në gusht të vitit 2021, SHBA e etiketoi familjen Karić si “portofolin e ndërtimit të Lukashenkos” dhe ndoqi rrugën e sanksioneve.

Sanksionet synuan djalin e Bogoljub Kariç, Nebojsha dhe kompanitë Dana Holdings, Dana Astra, Emirates Blue Sky dhe Dubai Water Front. Bogoljub Karić, nga ana e tij, u sanksionua prej BE-së në qershor 2022 për mbështetjen e regjimit të Lukashenkos dhe përfitimin nga kjo përkatësi.

BE shpalli sanksionet në 17 dhjetor 2020, por vetëm dy javë përpara kësaj, Dana Holdings i kishte shitur pesë firmat e Qipros një kompanie të Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE), Enterprise Developments Holding, një transaksion që ekspertët ndërkombëtarë besojnë se është pastrim parash.

Për t’iu shmangur sanksioneve, Dana Holdings i shiti firmat e Qipros Enterprise Developments Holding në Emiratet e Bashkuara Arabe për 700 milionë euro, që është në përputhje me vlerësimet e ekspertëve për vlerën aktuale të aseteve të tyre në Bjellorusi. Megjithatë, vlera kontabël e pesë kompanive ishte vetëm 21,550 € – 30,000 herë më pak se vlera aktuale.

Transaksioni i dha Kështu Dana Holdings një fitim prej 700 milion€. Çuditërisht, deri në fund të vitit 2020, paratë e vërteta ende nuk ishin në dukje. Në vend të kësaj, fitimi u klasifikua si ‘llogari të tjera të arkëtueshme’, duke lejuar Dana Holdings të tërheqë para të konsiderueshme nga llogaritë e tyre.

Sipas ekspertëve të OCCRP, ky transaksion ka “të gjitha shenjat e pastrimit të parave”. Së pari, Dana Holdings i kishte shitur firmat pak para shpalljes së sanksioneve. Së dyti, aksionet kontrolluese në kompani u transferuan nga Qipro në Emiratet e Bashkuara Arabe. Së treti, përfituesit e Emirateve të Bashkuara Arabe janë të lidhur me familjen Karić. Dhe së fundi, ekspertët janë të bindur se transaksioni ka zhbllokuar aftësinë e familjes Kariç për të vazhduar marrjen e dividentëve pavarësisht sanksioneve.

“Ideja ishte të krijohej një gjurmë letre për paratë që legalisht u lejon atyre të aksesojnë këto 700 milionë euro. Kjo është e rëndësishme sepse bankat duan të dinë se nga vijnë paratë, kështu që ju mund të shpjegoni se ato vijnë nga një shitje… Automatikisht, ato hyjnë në 700 milionë euro në një vend ku nuk janë të sanksionuara dhe marrin dividentë nga asetet që fshehin. ”, citohet të ketë thënë kontabilisti Abdulwahed Alobaly.

Qendra Hetuese Bjelloruse ka zbuluar gjithashtu se familja Karić është ende imune ndaj sanksioneve në lidhje me pasuritë e paluajtshme, përfshirë Evropën Perëndimore.

Karić-ët zotërojnë shtatë banesa në Londrën qendrore dhe janë të regjistruara në emër të Dejan Lazarević – dhëndri i Bogoljubit.

Lazarević përdor kompani offshore për të zotëruar pasuritë e patundshme. Dokumentet e kompanisë zbulojnë se Lazarević është një “person i ekspozuar politikisht”.

Trekëndëshi: Familja Kariç-Muhammed El Alabba-Porti i Durrësit

Më 10 gusht të këtij viti, qeveria shqiptare firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me një kompani arabe për ndërtimin e portit të jahteve në Durrës.

Marrëveshja u nënshkrua mes kompanisë shqiptare “Albanian Seaports Development Company” dhe “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori Muhammed El Alabbar.

Milioneri arab është drejtor i “Lakeside Development” i themeluar nga Blueskay Holdings Limited me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, e lidhur me disa kompani offshore.

Kreu i grupit të investimeve ‘Emaar Properties’, i cili njihet fillimisht si Alabbar Rashid Mohamed Ali Rashid, në fakt mban disa emra me të cilin shtypi i referohet: Mohamed Ali Rashed Al-Abbar, Mohamed Ali Rashed Alabbar, Mohamed Al-Abbar ose thjesht Mohamed Alabbar.

Mediat e huaja raportojnë se El Alabbar e zhvillon aktivitetin e tij në kryeqytetin e Bjellorusisë, në Minsk duke ‘u kamufluar’ si drejtor i një kompanie të vogël. Mirëpo përpos kësaj, drejtori i kompanisë të cilit Rama i besoi transformimin e Portit të Durrësit, shfaqet me një lidhje të ngushtë me biznesmenë serbë.

Një rast është përfshirja e tij në një biznes me dy vëllezërit Kariç nga Serbia. Emirates Blue Sky dhe Dubai Water Front janë dy kompani që u përkasin biznesmenëve serbë Karic. Pak kohë më parë ata njoftuan tërheqjen e tyre nga tregu bjellorus në fund të vitit 2020. Kjo ndodhi menjëherë pasi u vendosën sanksionet e BE-së ndaj kompanive Dana.

Më 25 nëntor 2020, një kompani e re e quajtur Lakeside Development u shfaq në Bjellorusi. Kanali Telegram ‘Nick and Mike’ e lidhi atë me Dana-n.

“Emaar Properties” planifikon të zhvillojë projektin “Smart City” në veri të Minskut me një investim të vlerësuar prej 4 miliardë euro. Guri i parë në kantierin e ndërtimit u vendos simbolikisht nga kryeministri Raman Halouchanka më 2 tetor 2020.

Në tetor 2020, klienti i ndërtimit të “Smart City” ishte Emirates Blue Sky, kompania e lartpërmendur e vëllezërve Karic. Për më tepër, ajo mori këtë emër të lidhur me botën arabe pak para se të përfshihej në projekt. Por para kësaj, ai quhej Zomex Investment. Pasi goditën sanksionet perëndimore, dhe riemërtimi i kompanive u bë një përpjekje në modë për të shmangur sanksionet.

Qeveria bjelloruse iu referua investitorit arab në raportet e saj si “Mohamed Al Abbar, Kryetar i Bordit të Emirateve Blue Sky LLC”.

‘Emaar Properties’ ka lidhje të tjera me biznesmenë serbë. Ata promovuan projekte të mëdha ndërtimi së bashku në Beograd dhe Moskë.

Një shkrim i “Forbes”, botuar edhe nga Zoom.al do të tregonte se si Alabbar la përgjysmë në mes të Beogradit një projekt disa herë më ambicioz se ky i Durrësit.

Në vitin 2014 lajmi se një kompani bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe thotë se do të investonte deri në 4 miliardë euro (5.4 miliardë dollarë) për të ndërtuar një zonë biznesi, banimi dhe tregtare në zonën e lumit të kryeqytetit serb, Beograd, u bë kryelajm botëror.

Nga mediat arabe si Alarabyia në prestigjozen amerikane Forbes, gazetarë, ekspertë dhe politikanë po komentonin mbi projektin ambicioz që do ta shndërronte Beogradin në kryeqendrën e Ballkanit.

Komipania Eagle Hills e shpalosi më shumë bujë projektin “Belgrade Waterfront”, që do të transformonte një zonë plotësisht të shkatërruar në zemër e qytetit ballkanik me dy milionë banorë.

Drejtori Ekzekutiv kësaj kompanie ishte Mohamed Alabbar, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar i Emaar Properties të Dubait.

“Ne do të krijojmë një qendër rajonale që do të jetë e pakrahasueshme”, deklaronte ai.

Projekti përfshin një kullë 200 metra të lartë, të ngjashme në stil me kullën Burj Khalifa të Dubait, si dhe një qendër tregtare, banesa, zyra dhe zona të kohës së lirë që mbulojnë një milion metra katrorë.

belgrade waterfront

Por ndonëse punimet kanë nisur 8 vjet më parë “Belgrade Waterfront” është jo vetëm shumë larg nga përfundimi, por edhe larg projektit pompoz të shpallur nga Mohamed Alabbar dhe presidenti serb Aleksandër Vucic.

Kulla madhështore i ka lëne vëndin disa pallateve. Ndërsa projekti nuk dihet ende se kur do të përfundojë.

belgrade waterfront
belgrade waterfront

Revista prestigjoze Forbes do të shkruante në vitin 2016 se “Projekti Belgrade Waterfront ishte një tallje e madhe nga Abu Dhabi”.

“Ajo që donte të bënte Eagle Hills ishte të ndërtonte një Beograd për të pasurit. Me shtrirje 177 hektarë, zhvillimi i zonës do të përfshinte apartamente luksoze me sipërfaqe 1 milion metra katrorë për 17 mijë rezidentë, 750 mijë metra katrorë për zyra e hapësira komerciale, bashkë me një numër hotelesh me pesë yje, një mur qiellgërvishtësish, mes tyre edhe ndërtesa më e lartë në Evropën juglindore, pallatin e operës, dhe qendrën më të madhe tregtare në continent”, shkruante Forbes.

Revista prestigjoze nënvizonte se gjithçka u bë në befasi e në shkelje të ligjit.

“Nuk pati as tendera të hapur që është procedura standard. Kur u vu në dukje që qeveria serbe po shkelte ligjet e saj, siç ishin kodet e ndërtimit që përcaktohen në Planin e Përgjithshëm Urban të Beogradit, ata thjesht ndryshuan ligjet.”

E po ashtu, thesi me 4 miliardë dollarët e premtuar u shndërrua në një qese prej 160 milionë dollarësh, me Eagle Hills që ndryshe nga sa u tha në fillim se do të investonte paratë e saj, krijoi një sipërmarrje të përbashkët me qeverinë serbe.

“Siç doli më pas, u në një sipërmarrje e përbashkët midis qeverisë serbe dhe kompanisë Eagle Hills i krijua në prill 2015, por që duke paksa ndryshe nga ajo që ishte premtuar në fillim. Në vend të thesit me 4 miliard dollarët e premtuar, Eagle Hills investoi 160 milion dollarë dhe më pas i dha Serbisë 300 milion të tjerë hua. Raporte të mëvonshëm pretendojnë se investimi direkt real ishte vetëm 20 milion dollarë. Sido që të jetë, Eagle Hills do të marrë 68% të fitimeve dhe shfrytëzim të truallit për 99 vjet. “Kam shpresa ngaqë në Beograd pothuajse gjithçka dështon”, përfundon Milanoviç. “Kështu që le të shpresojmë për më të keqen, sepse do të ishte më e mira”, shkrunte Forbes.

Skema ngjason me atë që Mohamed Alabbar kërkon të bëjë në portin e Durrësit, tani me një tjetër kompani, offshore. Ai ka premtuar ndërtimin e portit të Jahteve, por mediat kanë zbuluar se ai synon tokën, 80 mijë metër katrorë, që ta marrë falas, për të ndërtuar pallate. /Zoom.al