zoom

In Zoom

EKSKLUZIVE/ Një kullë e re në ish-Bllok. Kush është klienti i qeverisë që qëndron pas saj

EKSKLUZIVE: Një kullë e re shumëkatëshe do t’i shtohet shumë shpejt Tiranës. Ndërtesa e re do të ngrihet në zemër të kryeqytetit, në zonën e ish -Bllokut.

Ky është projekti i kullës, i siguruar nga Zoom.al (shih foton ekskluzive).

Kulla do të ndërtohet mbi një shtëpi dykatëshe të vjetër tiranase, e cila njihet si ish -vila e Vodafone, një Monument Kulture i Kategorisë së II, mes Kishës Ungjillore të Re dhe Sky Tower.

Parë nga foto, kulla ngrihet e vetme në një lartësi të konsiderueshme, me një diferencë të madhe me ndërtesat e tjera dhe nuk ka asnjë lidhje me kompleksin e ndërtimeve rreth saj.

Kulla do të jetë afro 50 kate. Leja, siç ka mundur të mësojë Zoom.al, është marrë nga një biznesmen i njohur për lidhjet me kryeministrin Edi Rama, që rezulton të ketë numrin më të lartë të kontratave koncesionare në vend dhe ato më të rëndësishmet si dhe një ndër ndërtesat më të larta aktualisht në kryeqytet.

Sipas parashikimeve, vlera e ndërtimit do të arrijë në 70 milionë euro.

KULLAT E TJERA NË TIRANË

Kull ate ish -vila e Vodafone nuk është e vetmja që i shtohet Tiranës. Mediat kanë zbuluar se një ndërtesë shumëkatëshe është projektuar të ndërtohet në rrugën e Kavajës, mbi ndërtesën e njohur si “Classic”, e cila përllogaritet të kushtojë rreth 100 milionë euro.

Një tjetër kullë parashikohet të ngrihet poshtë digës së Liqenit Artificial.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se kishte dhënë vetëm 20 leje për ndërtesa mbi 20 kate, por qytetarët e sfiduan përmes një videoje duke numëruar lehtësisht të paktën 30 kulla mbi 20 kate.

Pjesa më e madhe e këtyre “përbindëshave prej betoni” janë përqendruar rreth sheshit Skënderbej, si kulla pas Hotel Tirana International me investitor biznesmenin Ram Geci, Syri i Tiranës i Armand Lilos që kishte të paktën 6 kate pa leje, të sekuestruara tashmë, apo dy ndërtesat e tjera pranë Kullës së Sahatit. /Zoom.al