zoom

Politikë

Veliaj nis lojën e shifrave për ndërtimet në Tiranë. Por për interesat e kujt i jep lejet?

Zgjedhjet po afrojnë dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i vetëdijshëm se do të duhet të japë llogari për valën e ndërtimeve në kryeqytet, ka gjetur një mënyrë për t’u justifikuar, duke evituar përballjen me qytetarët.

Ai ka zgjedhur një rubrikë monologjesh me video të postuara në rrjetet sociale për të dhënë versionin e tij se përse e ka betonizuar më keq Tiranën, me pallate shumëkatëshe, që kanë shkelur jo pak herë edhe kriteret e ndërtimit.
Erion Veliaj tha sot (ose dje, pasi nuk është asnjëherë e qartë kur i bën regjistrimet) se ka dhënë leje ndërtimi edhe më pak se nevojat që ka qyteti.

Për ta bërë të besueshëm variantin e tij ai nisi një lojë shifrash, por duke i përdorur të dhënat në mënyrë të njëanshme, duke fshehur kështu tablonë e qartë të asaj që po ndodh në Tiranë.

“Tirana rritet me 20-25 mijë banorë në vit, ka nevojë për 8 mijë apartamente në vit; objekte me mbi 12 kate janë vetëm 20” – thotë Veliaj.

“Nëse nuk shtohet oferta për banesa të reja, atëherë çmimet e banesave ekzistuese do të bëheshin të papërballueshme dhe do të rriteshin në mënyrë eksponenciale. 8 mijë banesa, me nga një mesatare prej 100m2, përfshirë hapësira të përbashkëta, shkallë e ashensorë, janë rreth 800 mijë m2 ndërtim i ri i kërkuar nga tregu çdo vit në Tiranë. Atëherë, përfundimi është i thjeshtë: Numri i metrave katrorë të ndërtuara në Tiranë, përputhet proporcionalisht me numrin e rritjes së banorëve të Tiranës,” vijon ai.

Panorama me shifrat është e mangët për disa arsye.

Në morinë e llogarive, Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk tregon se sa apartamente janë ende pa shitur. Po ashtu, nuk dha shifra se sa individë kanë dy, tre apo më shumë shtëpi.

Nuk sqaroi se përse rritja e çmimeve në këtë rast qenka shqetësuese, teksa kartën se shtrenjtimi i pronës është një e mirë për qytetarët e ka përdorur sa herëi është dashur të mbrojë ndonjë vendim të diskutueshëm të bashkisë apo qeverisë, sic ishte rasti i unazës së re në zonën e Astirit.

Ja çfarë shkruante ai pak vite më parë.

“Lajm i mirë për banorët në Tiranë!  Sipas Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT rritet ndjeshëm vlera e pronës. Do vazhdojmë me investimet!” (16.08.2016)

Edhe një vit më parë kishte të njëjtën teori.

“Fakti që sot çmimi ka arritur në 2000 – 2500 euro, nuk është vetëm vlera e atij që ka ndërtuar, është edhe vlera e investimit poshtë”. (24.09.2022)

Se sa qytetarë të Tiranës kanë mundësi të blejnë shtëpi me të tilla çmime me pagë mesatare prej 450 eurosh, as këtë nuk e tha në monologun e tij.

Vrulli i ndërtimeve në Tiranë ka ngritur dyshime të forta se ky sektor po përdoret gjerësisht për pastrimin e parave, shqetësim ky i prekur edhe në raporte të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, si MoneyVal.

Por për veç faktit se si po ndërtohen pallatet e për interesa të kujt, kryebashkiaku shmangu edhe një tjetër fakt, se si nën hundën e tij, ai ka lejuar ndërtimin e kateve pa leje, si “Syri i Tiranës” që ngrihet përballë zyrës së tij, “Donwtonw One” apo kompleksi i Salillarit.

Erion Veliaj mund të tregojë përditë me monologje anën e tij të historisë së betonizimit të Tiranës.

Pyetja që do t’i rëndojë është se për interesa të kujt ndërtohen pallatet me 2500 apo 5000 euro m2 në një vend ku 65% e popullsisë jeton në varfëri, ku të rinjtë vazhdojnë të braktisin vendin pasi nuk kanë asnjë shpresë të ndërtojnë familje e të kenë një strehë, kur shohin se një specialist në bashki apo qeveri nuk paguhet më shumë se 500 euro në muaj. /Zoom.al