Aplikacion
Federata e Futbollit të Kosovës, njofton se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshjen me trajnerin e deritanishëm, Primozh Gliha.
Nën drejtimin e Gliha, Kosova zhgënjeu në kualifikueset e “EURO 2024”, duke marrë vetëm 11 pikë në 10 ndeshje dhe duke lënë pas në grupin I, vetëm Andorran. Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe, tek “dardanët” ka munguar dhe fryma e grupit, pasi herë pas herë ka pasur konflikte mes drejtuesve dhe lojtarëve të kombëtares.
Federata njofton po ashtu se ka filluar tashmë analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar.
Njoftim nga FFK:
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primozh Gliha.
FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvillura pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse.
Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar”. /ZOOM.AL/