zoom

Aktualitet

CIA zbarkon në Elbasan? Zbardhen detajet e misionit të tre agjentëve

Arrestimi i dy rusëve dhe një ukrainasi javën e shkuar në ish-fabrikën ushtarake të armëve në Gramsh ka ngjallur interes dhe te shërbimet inteligjente, partnere me Shqipërinë.

Gjatë javës së ardhshme pritet të mbërrijnë në vendin tonë tre agjentë specialë të një prej shërbimeve më të rëndësishme inteligjente në botë.

“Ky grup përbëhet nga dy ekspertë analistë, me një eksperiencë të gjatë në çështjet e spiunazit rus. Ndërsa personi i tretë është i specializuar për profilizimin e personave që punojnë për llogari të shërbimeve sekrete ruse” tha një burim për Top Channel, në kushtet e anonimatit.

Krahas Svetlana Timofeeva dhe Fedir Alpatov për këtë shërbim inteligjent të vendit mik me Shqipërinë ka një interes të posaçëm ndaj Mikhail Zorin, i lindur në Moskë por student në një vend të BE.

Mikhail Zorin jetonte në Pragë, ku ndiqte studimet për Kimi.

Treshja e inteligjencës së vendit mik, krahas analizimit të provave të mbledhura deri më tani do të synojë të zbulojë detaje të tjera për studentin rus të kimisë Mikhail Zorin.

Grupi i gjerë i hetimit nën udhëheqjen e prokurorit Kreshnik Ajazi kanë përftuar detaje të shumta me interes për këtë investigim, për të provuar se kemi të bëjmë me të dërguar për qëllime spiunazhi nga Rusia në vendin tonë.

Në telefonat e të arrestuarve është gjetur një skicë me shkrim dore e detajuar e hyrjeve dhe vendqëndrimeve të rojeve, në ish fabrikën ushtarake të Gramshit.

Kjo skicë është dërguar përmes aplikacionit Telegram në një numër me prefix rus.

Të tre rusëve u janë gjetur edhe një shumë monetare e konsiderueshme prej 6.000 dollarësh amerikan.

Grupi hetimin beson se kjo shumë e konsiderueshme parash mund të përdorej prej tyre në të paguarin e bashkëpunëtorëve shqiptarë.

Prandaj një prej pistave ku po hetohet, është edhe evidentimi nëse kanë pasur bashkëpunëtor shqiptarë.

Prokurorët, Drejtoria e Antiterrorist dhe SHISH po analizojnë me kujdes përpjekjen e sponsorizuar nga Rusia, javën e shkuar, ku u tentua ofrimi për t’u intervistuar nga media shqiptare të miqve të Svetlana Timofeeva dhe babait të Mikhail Zorin.