zoom

Aktualitet

Zbardhet DOSJA/ Prokuroria: Dy rusët dhe ukrainasi ishin me mision në Shqipëri

Zbardhet DOSJA/ Prokuroria: Dy rusët dhe ukrainasi ishin me mision në Shqipëri

Lidhur me tre shtetasit e huaj që tentuan të futen në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh, Prokuroria beson se kanë ardhur në Shqipëri me mision.

Në dosje, organi i akuzës thekson se ka prova të arsyeshme se dy rusët dhe ukrainasi janë rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës dhe kanë detyra të paracaktuara.

“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri me mision të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara”, thuhet në dosje.

Prokuroria i akuzon dhe për dhënie të informatave sekrete dhe sigurim të informatave, bazuar në dëshmitë që ata kanë dhënë në prokurori, por që për arsye sekrete prokuroria nuk do ia vërë në dispozicion gjykatës.

Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov u arrestuan pasditen e së dielës. Ata u pikasën pranë ambienteve të uzinës ushtarake në orën 17.30. Njëri nga të huajt u përlesh me ushtarët, të cilët ruajnë objektin, duke lënduar dy prej tyre.

Duke iu referuar të dhënave nga prokuroria e Elbasanit, të huajt duket se kane qëndruar rreth 30 minuta përreth uzinës. Në dosje thuhet se fillimisht ata janë pikasur nga një banore që ka banesën aty pranë.

Në dëshminë e saj, banorja ka deklaruar se rreth orës 17:00 pranë shtëpisë së saj ka parë parkuar një makinë ngjyrë portokalli, të cilën nuk e kishte parë më parë. Gjithashtu në afërsi të mureve të uzinës ka parë një person me kapele, pantallona të shkurtra dhe një çantë në kah, duke u ngjitur në drejtim të vreshtave të saj, të cilat janë ngjitur me murin rrethues të uzinës.

Më tej, organi i akuzës thekson se arrestimi i të huajve është bërë rreth orës 17:30, pasi janë konstatuar ne ambientet e brendshme të objektit ushtarak.

Ata do të dalin sot para gjykatës për t’u njohur më masën e sigurisë./ Zoom.al

Postime të lidhura