zoom

Aktualitet

Çfarë po hanë shqiptarët? Skandali me qumështin, përse AKU-ja nuk flet

Çfarë po hanë shqiptarët? Skandali me qumështin, përse AKU-ja nuk flet

As ngjarjet kriminale e as fushata elektorale nuk ka mundur dot të eklipsojë skandalet me sigurinë ushqimore në Shqipëri, të cilat kanë qenë aq të shpeshta sa për ta quajtuar një krizë.

Prej muajsh, shqiptarët po përballen me çmime të larta dhe siguri të pakët, ndërsa të gjitha produktet bazë të shportës së konsumit janë ose me lëndë kancerogjene ose me parazitë. Së fundmi, pjesë e skandaleve u bënë dy nga kompanitë më të mëdhaja në vend të bulmetit, “Erzeni” dhe “Lufra”, produktet e të cilave u raportua të kishin aflatoksinë.

Skandali fillon të ngjajë me një ngjarje kriminale kur konsumatorët mbahen të izoluar nga këto raportime. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka patur asnjë reagim publik mbi këtë ngjarje dhe kompanitë, duke lejuar konsumimin e produkteve të kontaminuara nga qytetarët.

Përveç se morale, etike dhe njerëzore, mosinformimi publik është një shkelje ligjore. Neni 8 i ligjit “Për ushqimin” që formalizon AKU-në si institucion përcakton detyrimin e informimit dhe ndërgjegjësimit publik.

“…institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë merr masa për të informuar publikun për natyrën e rrezikut”, thuhet në nenin 8, ndërsa theksohet dhe detyrimi për këshillim publik.

Tentativat e Zoom.al për të kontaktur autoritetin nuk kanë rezultuar të suksesshme. Kanalet e komunikimit të AKU-së janë të paaksesueshme.

Në Shqipëri, AKU është i vetmi institucion që ka në përgjegjësi kontrollin ushqimor dhe mbrojtjen e konsumatorit, por ky mision ka dështuar, njësoj si struktura organizative e këtij autoriteti dhe vetë Ministrisë së Bujqësisë, që e drejton. De facto është ministria e Bujqësisë institucioni që duhet të zgjidhë krizat e kësaj natyre, por de jure ajo është “e larë”, pasi ligji njeh organigramat dhe organigrama të çon sërish tek AKU-ja.

AKU, ashtu si të tjera agjenci dhe autoritete në varësi të kabinetit qeveritar janë kthyer në makineri elektorale dhe askush nuk e mban më mend qëllimin. Për katër muaj ky institucion ka ndryshuar 3 herë drejtuesin dhe dhjetëra herë vitin e shkuar. Një muaj më parë qeveria u dorëzua dhe vendosi të shkrijë këtë autoritet… për të krijuar një tjetër.

Shqiptarët do të kenë një autoritet që mbron ata dhe shëndetin e tyre vetëm kur qeveria të kuptojë se veza, pula dhe qumështi nuk janë thjesht ushqime, por janë indikatorë ekonomikë dhe politikë që pasqyrojnë problematikat e zinxhirit që mban një vend në lëvizje. Kur ky zinxhir ngec, konsumatorët panikosen dhe kërkesë-oferta luhatet. Veza, pula dhe qumështi nuk janë thjesht ushqime, janë nxitës të besimit në politikë dhe ekonomi. Në prag zgjedhjesh, veza, pula dhe qumështi janë vota./Zoom.al

Postime të lidhura