zoom

Aktualitet

Qumështi kancerogjen, reagon Shoqata e Përpunuesve

Qumështi kancerogjen, reagon Shoqata e Përpunuesve

Pas lajmit se kontrollet e fundit të AKU-së kanë konstatuar qumësht të kontaminuar të markave të njohura të produkteve të bulmetit, “Lufra” dhe “Erzeni”, ka reaguar Shoqata e Përpunuesve të Qumështit.

Në një deklaratë zyrtare, shoqata shprehet se nuk ka asnjë hetim apo çështje të ngritur nga AKU-ja për kompanitë e qumështit, lidhur me skandalin e aflotoksinës, një toksinë kancerogjene.

Përpunuesit e qumështit mohojnë vërtetësinë e lajmit, ku burime pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit pretendojnë praninë e aflatoksinës M1 në disa mostra qumështi të analizuara në qytetin e Vlorës, një substancë që mund të jetë e rrezikshme për shëndetin, veçanërisht për fëmijët.

Duhet thënë se ende nuk ka një reagim zyrtar nga AKU-ja lidhur me skandalin në fjalë. Zoom.al kontaktoi autoritetin, por nuk mori përgjigje, duke lënë konsumatorët të pasigurt dhe të panikosur për produktet bazë të ushqyerjes.

Reagimi i Shoqatës:

Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit

Në lidhje me lajmet e publikuara së fundmi në disa portale mediatike, dëshirojmë të sqarojmë për publikun e gjerë disa fakte të rëndësishme:

Industria shqiptare e qumështit duke filluar qe nga fermeret e deri te perpunuesit, punon çdo ditë në përputhje me ligjet dhe standardet më të larta të sigurisë ushqimore. Proceset tona të kontrollit përfshijnë testime të rregullta të cilësisë dhe ndërhyrje të menjëhershme në rastet kur konstatohet nevoja për korrigjime.

Theksojmë se aktualisht nuk ka asnjë çështje të hapur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ndaj ndonjë prej kompanive të përmendura në këto lajme, lidhur me problematika të aflatoksinës.

Në një treg gjithnjë e më të hapur ndaj produkteve të importuara, është e dhimbshme të shohim që herë pas here përhapja e lajmeve të pabazuara rrezikon të dëmtojë punën dhe përpjekjet e mijëra fermerëve dhe përpunuesve shqiptarë, në një kohë kur mbështetja për prodhimin vendas është më e rëndësishme se kurrë.

Si industri dhe fermere, riafirmojmë përkushtimin tonë për sigurinë, cilësinë dhe transparencën ndaj çdo familjeje shqiptare.

Faleminderit për besimin tuaj të vazhdueshëm tek Fermeret dhe Prodhuesit vendas.

Postime të lidhura