Aplikacion
Pas më shumë se 6 muajsh me probleme të shumta të sigurisë ushqimore, ku konsumatorët shpesh kishin frikë çfarë hanin, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj reagoi këtë të shtunë duke marrë masa.
Në një deklaratë për mediat, Denaj tha se ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të punës së AKU, një institucion që gjatë gjithë kësaj kohe ka dëshmuar paaftësi në garantimin e sigurisë ushqimore, për shkak të rasteve të shumta ku mishi ishte i kontaminuar me salmonelë dhe frutat e perimet me pesticide tej normave të lejuara.
Sipas saj, kjo masë merret për të ndalur praktikat abuzive dhe për të sjellë më shumë qartësi dhe drejtësi në inspektime.
“Në reagim të menjëhershëm të detyrave të ngarkuara dhe në përputhje me kompetencat dhe parashikimet ligjore dhe në veçanti duke marrë në konsideratë një rritje të ndjeshme të ankesave të subjekteve të lidhura me ushqimin, subjekteve të tregtimit të produkteve ushqimore dhe qasjen dhe sjelljen në bazë të këtyre ankesave të trupës inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, mungesës së pajustifikuar të planeve të tyre operacionale, përgatitjen për zbatimin e plotë të ligjit për inspektimet në Republikën e Shqipërisë, adresimin e praktikave abuzive në përmbushje dhe kryerjen e detyrave inspektuese, rishikimin e mekanizmit të koordinimit ndërmjet strukturave rajonale, atyre qendrore të AKU-së, por dhe strukturave në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të unifikuar dhe zbatuar një praktikë në frymë të ligjit për inspektimet, si dhe garantimit të transparencës dhe standardeve sipas kërkesave ligjore, kam urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktivitetit të inspektimeve pa planifikim paraprak dhe atyre të pamiratuara”, tha Anila Denaj.
Po ashtu, është ngritur një komision i posaçëm me 5 anëtarë, ku 3 prej tyre janë ekspertë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Ky komision do të vlerësojë inspektorët aktualë të AKU-së dhe do të përzgjedhë aplikantët e rinj që duan të bëhen pjesë e trupës inspektuese.
Ministrja theksoi se do të ketë testime me shkrim dhe me gojë, për të siguruar që inspektorët të jenë të përgatitur dhe të veprojnë sipas ligjit./ Zoom.al