zoom

Aktualitet

Bilanci i zjarreve në Gramsh! 42 banesa të djegura, mbi 200 krerë bagëti të zhdukura dhe dhjetëra të evakuuar

Bilanci i zjarreve në Gramsh! 42 banesa të djegura, mbi 200 krerë bagëti të zhdukura dhe dhjetëra të evakuuar

Situata e zjarreve në territorin e bashkisë Gramsh vijon të jetë kritike dhe në përkeqësim të vazhdueshëm. Përhapja e flakëve ka rrezikuar seriozisht jetën, pronën dhe mjedisin natyror të banorëve, ndërsa vatrat aktive po zhvendosen drejt zonave të reja me rrezik të lartë.

Pasditja dhe mbrëmja e kaluar kanë sjellë përhapje të reja në fshatin Ermenj (Njësia Administrative Skënderbegas) dhe në zonën e Teqes së Dushkut. Terreni i thyer dhe pyjet e dendur po e bëjnë ndërhyrjen të vështirë për ekipet e emergjencës.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë konfirmuar këto dëme:

  • 42 banesa të djegura, kryesisht në Skënderbegas dhe fshatra përreth
  • Mbi 200 krerë bagëti të humbura, përfshirë:
    • 130 krerë bagëti të imta
    • 22 gjedhë
    • 1 thundrak
    • 80 koshere bletësh
    • Shumë shpendë dhe kafshë shtëpiake

Për të parandaluar përhapjen e ndonjë epidemie, autoritetet kanë nisur groposjen e kafshëve të ngordhura, ndërsa shërbimi veterinar është në terren për dokumentimin e dëmeve.

Evakuimi i banorëve vazhdon – deri mëngjesin e sotëm janë evakuuar 46 persona, përfshirë 6 banorë të strehuar mbrëmjen e djeshme në konviktin shtetëror të Gramshit. Ata i janë bashkuar 40 të evakuuarve të një dite më parë, kryesisht nga zona e Nartës.

Forcat në terren për shuarjen e zjarreve përfshijnë:

  • 50 trupa të ushtrisë
  • 7 automjete zjarrfikëse
  • 200 vullnetarë

Deri tani, 10 fshatra të bashkisë janë prekur nga flakët, me Bletëzën dhe Shëmbërdhenjin të goditura më rëndë, ku dëmet janë tërësore. Operacionet po zhvillohen në kushte të vështira, për shkak të erërave të forta, terrenit të pakalueshëm dhe mungesës së infrastrukturës rrugore.

Autoritetet kanë bërë apel për kujdes maksimal nga banorët dhe bashkëpunim të ngushtë për raportimin e çdo vatre të re, duke theksuar se çdo orë është kritike për frenimin e përhapjes.

Emergjencat Civile konfirmojnë se operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, me qëllim vendosjen e situatës nën kontroll dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Në këtë periudhë të nxehtë dhe të thatë, rreziku nga zjarret në pyje dhe kullota mbetet ekstremisht i lartë. Ndërgjegjësimi qytetar dhe veprimi i koordinuar janë kyç për të shmangur një katastrofë edhe më të madhe.

Postime të lidhura