zoom

Aktualitet

Delvinë/ Zjarret kërcënojnë puset e gazit, mbi 1.000 banorë të evakuuar

Delvinë/ Zjarret kërcënojnë puset e gazit, mbi 1.000 banorë të evakuuar

Flakët që nisën nga Kakodhiqi drejt Delvinës ndezën alarmin mbrëmjen e djeshme, duke iu afruar rrezikshëm puseve të gazit dhe kondensatit, një vendburim strategjik për energjinë e vendit.

Në operacionin e shuarjes u angazhuan forcat zjarrfikëse të bashkive të jugut, trupa të ushtrisë, helikopterë emergjencash dhe dhjetëra vullnetarë.

Era e fortë dhe terreni i pjerrët e vështirësuan ndërhyrjen, ndërsa mbrojtja e puseve mbeti prioritet kryesor.

Por situata ndryshoi sërish. Aktualisht zjarri po rrezikon puset e gazit në lagjen Kasapaj. Forcat zjarrfikëse e kanë përqëndruar punën në këtë lagje për të vënë nën kontroll flakët.

Gjatë natës, tymi dhe flakët rrethuan Delvinën, duke shkaktuar asfiksi te rreth 10 persona, përfshirë katër ushtarë, që u trajtuan në një spital të përkohshëm të ngritur në Kinoteatër.

Katër banesa u dogjën dhe kalaja e Xhermahallës, monument kulture, pësoi dëmtime të rënda. Nga tre lagje të qytetit u evakuuan mbi 1,000 banorë, kryesisht të moshuar dhe fëmijë.

Spitali i Delvinës rifilloi funksionimin normal në mëngjes, duke trajtuar të sëmurë kronikë, të asfiksuar, të traumatizuar dhe të lënduar nga flakët. Bagëtitë në disa zona u lanë të lira, ndërsa banorët ndihmonin ekipet në terren me ujë dhe ushqime.

Postime të lidhura