zoom

Aktualitet

Ministria e Mbrojtjes: Banorët e Nartës në Gramsh dhe të Delvinës të evakuohen urgjentisht!

Ministria e Mbrojtjes: Banorët e Nartës në Gramsh dhe të Delvinës të evakuohen urgjentisht!

Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje urgjente për evakuim në Nartë të Gramshit dhe në Delvinë për shkak të situatës së rëndë me zjarret.

Në njoftim thuhet se zjarret po përhapen me shpejtësi.

“THIRRJE URGJENTE PËR EVAKUIM. Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta,”- bën me dije Ministria e Mbrojtjes.

Flakët që u përhapën me shpejtësi për shkak të erës bënë që të evakuohej spitali i Delvinës, si dhe banorë të zonës. Zjarri rrezikoi edhe puset e naftës.

Situatë emergjente është edhe në Gramsh, veçanërisht në fshatin Nartë të njësisë administrative Skënderbegas. Aty veprojnë 3 helikopterë për shuarjen e flakëve. Mbrojtja ka kërkuar evakuim të banorëve nga fshati Nartë.

Momentalisht situata është shumë e vështirë në fshatin Menkollar, ku janë 3 zjarrëfikse të shoqëruara me forca të shumta të ushtrisë, të zjarrëfikësve, vullnetare banore të shumtë të zonës dhe dy helikopterë që hedhin ujë vazhdimisht për të parandaluar përhapjen e flakëve për në fshatin Nartë.

Ndërkohë është riaktivizuar zjarri edhe pranë fshatit Ërmenj dhe Koshnicë. Në teqen e Dushkut vazhdon të digjen sipërfaqe të madhe në pyje e kullota.

Sipas të dhënave nga kryetari i njësisë administrative Skënderbegas rezulton që në fshatrat e Gramshit të jenë djegur 39 banesa./ Zoom.al

Postime të lidhura