zoom

Aktualitet

Rama shqetësohet për zjarret, por krimi është realiteti i Shqipërisë

Rama shqetësohet për zjarret, por krimi është realiteti i Shqipërisë

Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama zgjodhi të shpallte ZJARRET si problemin më të madh të vendit. Një deklaratë që më shumë ngjan me një devijim vëmendjeje sesa me një pasqyrim të realitetit.

“Sot zjarret janë problemi ynë më i madh. Kanë dalë në plan të parë. Ministria e Brendshme duhet të bëhet Ministri e Punëve të Brendshme, të ngrihet në një nivel tjetër,”- tha Rama, teksa emëronte në detyrë Albana Koçiun.

Sigurisht që qeveria mund të bëjë më shumë për të parandaluar zjarret, mund të ulë kohën e reagimit të ndërhyrjes, mund të ashpërsojë masat për zjarrvënësit dhe këto mund të japin rezultat në 3 muaj të vitit. 

Por ashtu si togëfjalëshi i preferuar i kryeministrit, Shqipëria ka “nevojë ulëritëse” për të luftuar krimin, aktiv në 12 muajt e vitit, vetëm pasi të njihet si “problemi më i madh i Shqipërisë”.

Po të shohësh shifrat, përpos dëmeve materiale dhe humbjeve në florë dhe faunë, flakët duket se nuk janë kërcënimi kryesor për shqiptarët.

Këtë verë, një jetë u humb si pasojë e vonesës së zjarrfikësve. Ndërkohë, në të njëjtën periudhë, disa qytetarë u vranë në atentate, përplasje me armë apo hakmarrje.

Ramazan Mataj, Bujar Nasufi, Kristjan Marku, Xhemal Meta, Ermir Dedja, Armando Pali, Liridon Kraja ishin vetëm disa prej të vrarëve gjatë këtij viti.

Dhe në fakt, në vitet e fundit nuk veçohet dot një vit si shembull ku kriminaliteti nuk dominoi dhe vrasjet nuk ekzistuan, të paktën jo në shifra shqetësuese.

Shqipëria është shënuar me të kuqe në indeksin botëror të kriminalitetit dhe ka një shkallë vdekshmërie 6.9 për 1.000 banorë. Ky është realiteti që prek çdo ditë qytetarët: pasiguria në rrugë, frika nga bandat, korrupsioni i lidhur me pushtetin.

Sigurisht, qeveria duhet të bëjë më shumë për parandalimin e zjarreve dhe ndëshkimin e zjarrvënësve. Por kjo është një sfidë sezonale, e kufizuar në kohë. Krimi, në krahun tjetër, është një plagë e përhershme, që gërryen 12 muaj rresht jetën e këtij vendi.

Në luftën e njeriut me natyrën, natyra gjithmonë del më e fortë. Në luftën e njeriut me njeriun, humbja është kolektive. Shqipëria duhet të ngutet një orë e më parë për të luftuar krimin dhe kjo është e vetmja betejë që nuk pret./ Zoom.al

Postime të lidhura