zoom

Lajme

Berisha publikon dokumentin: Rama e legalizoi vilën trekatëshe pa leje të Dumanit

Berisha publikon dokumentin: Rama e legalizoi vilën trekatëshe pa leje të Dumanit

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë, 18 maj, pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të zbatimit të masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje” lidhur me dosjen “Partizani”.

Në një prononcim për mediat, Berisha ka vijuar me akuzat e tij ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin  Dumani, duke e akuzuar se ka bërë deklarim të rremë të pasurisë së tij, në formularët e ILDKPI-së, për të kaluar procesin e Vettingut.

“Por sot unë jam këtu për një denoncim tjetër, një denoncim të ri, i cili fakton se Altin mashtruesi, Altin Troplini, ka mashtruar gjithçka lidhur me vilën ku banon. Ky njeri që kryeson vetingun tani është i padenjë për asnjë funksion përveçse në bankën e akuzës. Ju lutem, më ndiqni pak. Sot do t’u tregoj për vilën ku banon Altin Troplini, të cilën në qoftë se ju bëni një kontroll të intervistave të tij, ai thotë se në atë vilë unë banoj me qira. Dhe se me dokumente shtetërore kanë deklaruar se vila është ndërtuar pothuajse e tëra para martesës së Troplinit me Ariklën, zonjën e tij aktuale bashkëshorte në mënyrë që askush të mos mund të lidhë ndërtimin e vilës me dhëndrin. Pra, Altini është bërë dhëndër aty në atë familje pasi kishte përfunduar vila.

Dhe po të thoshte ndonjëri nga ju që vila u ndërtua me paratë e Altinit, do të thoshin se ky është një mashtrim pasi Altini është bërë dhëndër pas përfundimit të vilës. Kur u bë vetingu i Altin Troplinit, prindërit e bashkëshortes paraqitën një deklaratë noteriale 1516 numër 432 datë 15.06.2019. Prindërit e gruas së tij deklarojnë se paratë për ndërtimin e vilës i kanë marrë nga misionari Graham Bel përgjatë viteve 1999-2003. E kuptoni ju, bamirësi i madh, si puna e Rrapush Xhaferrit? Pra, i kanë marrë gjatë këtyre viteve afro 45 mijë paund. Se si misionari i jepte 45 mijë paund një familje, kjo është…”, tha Berisha.

Kreu i opozitës thotë se deklarata noteriale e prindërve të bashkëshortes së Dumanit, thekson se ky i fundit nuk ka asnjë kontribut financiar në ndërtimin e kësaj shtëpie. Pasi është martuar në vitin 2003.

E sipas Dumanit, shtëpia që ka shërbyer fillimisht si kishë, ka filluar të banohet që prej vitit 2000.

Por çfarë thonë dokumentet e shtetit, të kadastrës, të lagjes, të legalizimit? Sipas Berishës, në dokumente tregohet se kjo vilë nuk ekzistonte dhe ka qenë ende arë asokohe.

“Pra, Dumani e deklaron ndërtesën të ndërtuar në vitin 2000, madje edhe të shndërruar në faltore ku luteshin dhe paguanin para çifti anglez, Bel dhe bashkëshortja, në një kohë kur në vitin 2004, toka ishte arë.”, shton ai.

Për këtë arsye, sipas Berishës, duke qenë se dokumentet e nxirrnin blof, deklarata noteriale e prindërve të gruas së prokurorit “është hequr nga dosja e vetingut”.

Sipas tij, kjo tregon se si është bërë vetingu dhe se si ky proces është mbajtur peng.

Postime të lidhura