Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj akuzave dhe ironive të kryeministrit Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në çeljen e fushatës elektorale të PD-së.
Berisha u shpreh se, përmes përpjekjeve për të njollosur figurën e tij, Rama në fakt ka bërë të kundërtën: ka provuar pastërtinë e tij politike.
“Vettingu që më bëre me lakejtë e tu, tregoi se Sali Berisha del sot para shqiptarëve si politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria dhe më gjerë,” deklaroi Berisha me tone sfiduese.
Duke iu përgjigjur ironive të Ramës mbi moshën dhe rolin e tij politik, Berisha shtoi: “Edvin, vitet e Sali Berishës janë të gjitha vite bio.” Ai theksoi se propaganda e kryeministrit nuk mund të ndryshojë realitetin dhe as të zbehë besimin e qytetarëve te lidershipi i tij.
“Me atë vetting, që e nise si e nise, mund të them se nder më bëre. U tregove shqiptarëve se ku qëndron forca e pathyeshme e Sali Berishës,” përfundoi kreu i demokratëve.