Aplikacion
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke i cilësuar ato si një përpjekje për t’i krijuar vetes mbrojtje politike dhe ligjore përballë drejtësisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se ndryshimet e propozuara synojnë që posti i kryeministrit të mos pezullohet nga detyra, edhe në rastet kur organet e drejtësisë do ta vlerësonin të nevojshme një masë të tillë, për shembull në situata ku ekzistojnë dyshime për prishje të provave gjatë një hetimi penal.
Sipas tij, pretendimi i kryeministrit Edi Rama se ndryshimet nuk lidhen me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, nuk e ndryshon thelbin e problemit. Bardhi thekson se qëllimi real nuk është mbrojtja e një ministri të veçantë, por vendosja e një precedenti që shërben si “mburojë” për vetë kreun e qeverisë përballë SPAK.
Reagimi i plotë:
Për herë të parë “e besoj” Edi Ramën!
E besoj kur thotë se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk kanë lidhje me Belinda Ballukun. Sepse ai sot ndryshon ligjin për t’i vendosur Kryeministrit një mburojë plus nga SPAK-u. Edi Rama po propozon që Kryeministri të mos pezullohet nga detyra, nëse drejtësia gjykon se ai, për shembull, po prish provat e një hetimi.
E besoj Edi Ramën, kur thotë se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e Belinda Ballukut. Sepse qëllimi i tij nuk ka qenë kurrë të mbrojë Belindën, por veten e tij. Refuzimi i dorëheqjes nuk është më çështje luajaliteti. Është çështje precedenti. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale në mes të një hetimi penal aktiv për Zëvendëskryeministren nuk bëhet vetëm për sot. Bëhet për ditën kur drejtësia mund të trokasë më lart se numri dy i qeverisë. Prandaj, e besoj Edi Ramën, sepse ai po përpiqet të vendosë një imunitet të ri politik për veten nga SPAK-u. E besoj, sepse qëllimi i tij është personal. Ai do që funksioni i Kryeministrit të mos ndahet nga emri i Edi Ramës, pavarësisht provave të drejtësisë kundër tij. (Dhe çështja McGonigal është ende në hetim. Çështja e qendrimit të qeverisë për incineratorët është ende në hetim).
E besoj Edi Ramën, kur thotë se fillimisht do të votohet për imunitetin e Belinda Ballukut dhe më pas do të ndryshohet Kodi. E besoj, sepse ai sërish po mendon për veten. Po mendon se procedura do ta shpëtojë nga vijat e kuqe. Por vijat e kuqe nuk zhduken me procedurë. As me hi syve shqiptarëve, BE-së dhe SHBA-së.