zoom

Lajme

Reuters zbërthen Ramën: Kërkon të ndalojë drejtësinë që të pezullojë ministrat

Reuters zbërthen Ramën: Kërkon të ndalojë drejtësinë që të pezullojë ministrat

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se qeveria e tij do të ndryshojë ligjin për të mbrojtur ministrat nga pezullimi nga detyra ndërsa janë nën hetim penal, duke nxitur opozitën ta akuzojë atë se po përpiqet të mbrojë veten dhe po dëmton pavarësinë e gjyqësorit.

Një gjykatë pezulloi zëvendëskryeministren e Ramës, Belinda Balluku, në nëntor, pas ngritjes së akuzës ndaj saj nga prokurorët shqiptarë kundër korrupsionit, të njohur si SPAK, për dyshime mbi ndërhyrje në një tender për projekte infrastrukturore, akuza që ajo i mohon.

Rasti ka nxitur një përplasje mes SPAK-ut, i cili i ka kërkuar parlamentit heqjen e imunitetit të Ballukut për të lejuar arrestimin e saj, dhe Ramës, i cili është ankuar për tejkalim kompetencash nga gjyqësori, veçanërisht në lidhje me arrestimet para gjykimit.

Shqipëria synon të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030, por blloku ka deklaruar se vendi duhet të bëjë më shumë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

Partia Socialiste e Ramës, e cila vitin e kaluar siguroi mandatin e katërt radhazi, ka një shumicë të rehatshme parlamentare dhe është e paqartë nëse dhe kur Kuvendi do t’i heqë imunitetin Ballukut, e cila ka shërbyer gjithashtu si ministre e Infrastrukturës dhe është një aleate e ngushtë e kryeministrit.

“Në momentin që një ministër pezullohet nga detyra, nuk pezullohet vetëm një person, por e gjithë puna e atij institucioni”, u tha Rama deputetëve të partisë së tij të hënën, duke njoftuar planin për ndryshimin e ligjit.

Opozita ka organizuar një sërë protestash muajt e fundit në kryeqytetin Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Ballukut. Të hënën ata deklaruan se Rama po përpiqet të kontrollojë proceset gjyqësore në favor të tij përmes këtyre ndryshimeve.

“Kjo nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e Ramës për të mbrojtur veten, duke shkatërruar si pavarësinë e gjyqësorit ashtu edhe ndarjen e pushteteve… sepse pas Ballukut dhe shkeljeve të saj qëndron Rama,” thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike, partisë kryesore të opozitës, për Reuters./ Përktheu në shqip Zoom.al

Postime të lidhura