Aplikacion
Agron Shehaj, kryetari i Partisë Mundësia, komentoi ashpër deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili sot sulmoi prokurorët dhe gjykatësit duke i etiketuar me fjalë fyese si “qen” dhe “minj”.
Sulmet e Ramës u shoqëruan me prezantimin e një nisme ligjore të Partisë Socialiste, që synon të pengojë SPAK-un të kërkojë pezullimin nga detyra të kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit qeverisës.
Sipas Shehajt, kjo gjuhë agresive nuk është thjesht retorikë politike, por një sinjal i qartë i shqetësimit të Ramës për hetimet në zhvillim. Ai theksoi se këto sulme janë përpjekje për të frikësuar dhe penguar drejtësinë, duke u shfaqur kundër strukturave që mund të shqyrtojnë veprimet e tij dhe të kabinetit.
Shehaj shtoi se qytetarët e Shqipërisë duhet të jenë të vetëdijshëm se gjykatat dhe prokurorët janë institucionet që garantojnë llogaridhënien, dhe përpjekjet për t’i diskredituar tregojnë një tentativë për të shmangur përgjegjësinë ligjore.
“Qartësisht Edi Rama është shumë i shqetësuar sepse mendonte se do të kishte një pushtet absolut dhe të përjetshëm, por ja që kjo nuk do të ndodhë. Sepse drejtësia me mbështetjen e ndërkombëtarëve po i çon të korruptuarit para drejtësisë si kurrë më parë.
Prandaj duhet të firmosim deklaratën në mbrojtje të drejtësisë. Këto firma do t’i çojmë në Kongresin Amerikan, në Parlamentin Europian t’i tregojmë atye që duhet të vazhdojnë të mbështesin drejtësinë në Shqipëri, që dhe shqiptarët duan të korruptuarit përpara drejtësisë. Prandaj është shumë e rëndësishme, firmosni, firmosni, firmosni”, thekson Shehaj./ Zoom.al