zoom

Lajme

Ndryshimi ligjor i Ramës/ Ylli Manjani: I domosdoshëm, por mos po nxitet arresti?

Ndryshimi ligjor i Ramës/ Ylli Manjani: I domosdoshëm, por mos po nxitet arresti?

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, reagoi pas nismës ligjore të Partisë Socialiste për të hequr të drejtën e pezullimit për ministrat dhe Presidentin e Republikës nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, duke ngritur pyetje të rëndësishme mbi efektet dhe pasojat e saj për funksionimin e shtetit dhe ndarjen e pushteteve.

Sipas Manjanit, nisma për saktësimin e nenit 242 është e domosdoshme, veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk ka dhënë udhëzime të qarta. Megjithatë, ai thekson se shumë aspekte të saj mbeten të paqartë dhe kërkojnë vëmendje të kujdesshme.

Manjanj shtron në reagimin e tij disa pyetje, që kanë nevojë të qartësohen dhe që lidhen me nismën e socialistëve./ Zoom.al

Reagimi i plotë:

Pyetjet që lindin për nismën ligjore antipezullim të PS janë:

Përse duhet të shtrihet mbrojtja ligjore përtej anëtarëve të qeverisë dhe Presidentit të Republikës ndalimi i Pezullimit?! A po e zgjerojmë disi konceptin e imunitetit edhe ndaj zyrtarëve dhe funksioneve jo politike?!

Pse janë 7 dhe jo më shumë ose më pak?! Përse jo të gjitha institucionet Kushtetuese?!

Po institucionet monokratike që nuk i përmend Kushtetuta, por që janë po aq të rëndësishme, fjala vjen kryetari i KQZ, si do trajtohen?!
Dëmi që sjell ndalimi i ushtrimit të detyrës të KQZ në periudhë zgjedhore është shumë më i madh sesa pezullimi i të gjithë institucioneve Kushtetuese të marra së bashku…

Mos ndoshta duke ndaluar përdorimin e pezullimit vendimmarrja politike po nxit drejtësinë të përdorë arrestin?! Tani, jemi pro apo kundër praktikës së arrestit?!


    Mendoj se nisma për saktësimin e nenit 242 për Ministrat dhe Presidentit është e domosdoshme në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk i dha drejtim.

    Padyshim duhet kjo nismë. E mira e do që të ishte bashkë me ndryshime të tjera të rëndësishme që Kodi i Proçedurës i kërkon. Sidoqoftë edhe ashtu e veçuar, është domosdoshmëri.

    Vetëm se pyetjet e mësipërme meritojnë vemendje…

    Nuk mundet që një sulmi të nxituar ti përgjigjesh me ndërhyrje të nxituara, sepse bën të njëjtin gabim si “sulmuesi”…/ Zoom.al

    Postime të lidhura