Aplikacion
Komisioni Evropian ka reaguar pas njoftimit të shumicës parlamentare për ndryshimet në Kodit e Procedurës Penale, të cilat parashikojnë që ministrat dhe katër drejtues të tjerë të institucioneve kushtetuese të mos mund të pezullohen nga detyra me vendim gjyqësor.
KE thekson se po monitoron nga afër amendamentin e paraqitur më 16 shkurt dhe pret që çdo nismë ligjore të jetë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
BE-ja vlerëson çdo reformë ligjore që prek gjyqësorin dhe e ndjek nga afër situatën në Shqipëri. Retorika që nxit mosbesim publik ndaj gjyqësorit është kundërproduktive dhe nuk ndihmon procesin reformues”, tha Komisioni.
Gjithashtu, institucioni evropian ripërsërit se Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësinë të shqyrtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij, duke iu referuar rastit të zëvendëskryeministres Balluku, për të cilën Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin.
Komisioni nënvizon rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe respektimit të shtetit të së drejtës, duke e cilësuar këtë element kyç për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian./ Zoom.al