Aplikacion
Në një video të postuar, kryeministri Edi Rama tregoi pamjet me mbeturina në zonën e Zvërnecit, të cilat sipas tij, janë arsye për të mbështetur projektin e investimit prej 4 mld eurosh në këtë zonë.
Por komentuesit iu kthyen menjëherë postimit, duke e cilësuar atë një “autogol” politik. Shumë prej tyre ngritën pyetjen se si është e mundur që pas kaq vitesh në pushtet, qeveria po tregon sot gjendjen e rënduar të zonës si argument për zhvillimin e saj.
“Pas sa vitesh në pushtet kujtoheni të na tregoni plehrat e Zvërnecit?”, shkruan një komentues, ndërsa një tjetër shton se pamjet tregojnë vetëm “qeverisjen e dështuar”.
Të tjerë kujtuan se qytetarët paguajnë taksa për pastrimin dhe higjienën, duke pyetur se ku kanë përfunduar fondet e destinuara për këtë shërbim. Në komente u përmend edhe kompania përgjegjëse për pastrimin në Vlorë, me kërkesën që përgjegjësia të mos zhvendoset te protestuesit apo qytetarët.
Një pjesë e reagimeve ironizuan mesazhin që kryeministri publikoi si të ardhur nga një qytetar vlonjat, duke vënë në dyshim autenticitetin e tij. Të tjerë shkruanin shkurt: “Pastroje pra”, ndërsa disa theksonin se detyra e qeverisë është të pastrojë dhe të mbrojë zonat e mbrojtura, jo t’i përdorë ato si argument për projekte ndërtimi.
Megjithatë, nuk munguan as komentet në mbështetje të investimit, të cilat argumentonin se kundërshtarët e projektit flasin në emër të natyrës.