Aplikacion
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme pranë zonës së njohur si “Pallati me Shigjeta” në Tiranë, ku një autobus i linjës urbane “Green Line”, në pronësi të Nadir Çaushollit është përfshirë në aksident.
Sipas informacioneve paraprake, autobusi ka përplasur një vajzë që udhëtonte me biçikletë dhe më pas ka dalë nga rruga duke përplasur mjete të parkuara.
Nga pamjet e siguruara, autobusi shihet i devijuar nga korsia e tij dhe i ngjitur në trotuar, ndërsa në vendngjarje ndodhen disa persona.

Kjo s’është hera e parë që autobusët “Green Line” të Nadir Çaushollit përfshihen në aksident apo në flakë.
Madje incidentet e linjës së Unazës, “Green line”, kanë qenë të shpeshta. Ai më i famshmi ishte rënia e autobusit në lumin e Lanës pranë Shallvareve ku 9 persona mbetën të lënduar. Atëherë, çështja u pushua nga gjykata e Tiranës, pasi të dëmtuarit vendosën të tërhiqeshin nga ankimi.
Po në të njëjtën zonë, në një tjetër aksident, autobusi i Çaushollit përplasi një veturë dhe shkaktoi një zinxhir përplasjesh për shkak të shpejtësisë së pazakontë./Zoom.al