zoom

Aktualitet

Autobusi i Unazës i Nadir Çaushollit aksidentohet në Tiranë, plagosen pasagjerët

Autobusi i Unazës i Nadir Çaushollit aksidentohet në Tiranë, plagosen pasagjerët

Një aksident është regjistruar pasditen e kësaj të premteje në Tiranë, ku është përfshirë një autobus i linjës së “Unazës”, ndërsa disa persona kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Gjykatës së Tiranës, në një nga zonat me qarkullim të lartë në kryeqytet. Sipas informacioneve paraprake, autobusi është aksidentuar në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht.

Si pasojë e përplasjes, disa pasagjerë kanë pësuar lëndime dhe janë ndihmuar fillimisht në vendngjarje, ndërsa një pjesë e tyre janë transportuar drejt spitalit për kontrolle dhe trajtim mjekësor.

Menjëherë pas aksidentit, në zonë mbërritën efektivët e policisë dhe shërbimet e emergjencës, të cilat nisën procedurat për menaxhimin e situatës dhe normalizimin e trafikut.

Deri tani nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurve apo mbi shkaqet që çuan në përplasjen e autobusit.

Policia pritet të dalë me një njoftim zyrtar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e aksidentit.

Incidentet e linjës së Unazës, “Green line”, pronar i së cilës është Naudir Çausholli, kanë qenë të shpeshta. Ai më i famshmi ishte rënia e autobusit në lumin e Lanës pranë Shallvareve ku 9 persona mbetën të lënduar. Atëherë, çështja u pushua nga Gjykata e Tiranës, pasi të dëmtuarit vendosën të tërhiqeshin nga ankimi.

Po në të njëjtën zonë, në një tjetër aksident, autobusi i Çaushollit përplasi një veturë dhe shkaktoi një zinxhir përplasjesh për shkak të shpejtësisë së pazakontë./ Zoom.al

Postime të lidhura