Aplikacion
Është zbardhur kallëzimi i biznesmenit Mirton Lika pas konfliktit me pronarin e kompanisë farmaceutike “CFO Pharma”, Nadir Çausholli, të ndodhur mesditën e së hënës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Sipas dëshmisë së Likës, përplasja nisi pranë godinës “Sky Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, për shkak të montimit të një pajisjeje karikimi për automjete elektrike. Pamjet nga vendngjarja tregojnë momentin kur debati mes dy biznesmenëve tensionohet, ndërsa Çausholli tenton ta godasë, por ndërhyrja e personave të pranishëm shmang përshkallëzimin e konfliktit.
Pas incidentit, Lika ka depozituar kallëzim penal ndaj Çaushollit. Ai deklaron se, teksa po shkonte drejt zyrës së tij, konstatoi disa punonjës që po montonin një stacion karikimi për automjete elektrike.
Sipas tij, u kërkoi dokumentacionin dhe lejen për vendosjen e pajisjes, pasi për të njëjtën çështje ekziston një procedim i hapur në Prokurorinë e Tiranës.
Lika pretendon se një pajisje e ngjashme ishte sekuestruar më herët nga autoritetet si e paligjshme. Duke qenë se punonjësit nuk paraqitën dokumentacionin përkatës, ai njoftoi Policinë e Shtetit.
Në kallëzim thuhet se në vendngjarje mbërriti fillimisht një patrullë policie, e cila kreu verifikimet dhe më pas njoftoi Policinë Bashkiake, pasi çështja lidhej me dokumentacion administrativ.
Biznesmeni pretendon se gjatë kohës që priste në vendngjarje, Nadir Çausholli iu afrua në mënyrë kërcënuese, e ofendoi dhe më pas goditi me shkelm një karrige në drejtim të tij.
Kallëzimi i zbardhur:
Me vullnetin e tij të lirë, kallëzimtari deklarojë:
Në lidhje me paraqitjen time në Komisariatin e Policisë Nr. 2, do të kallëzoj se sot, më datë 06.07.2026, rreth orës 10:00, unë po shkoja në zyrën time, si gjithmonë, e ndodhur në rrugën “Ibrahim Rugova”, pranë godinës “Sky Tower”. Duke ecur në trotuar kam parë disa persona të cilët po montonin një pajisje karikimi për automjetet elektrike.
Duke qenë se në atë vend ka qenë një pajisje tjetër më parë dhe për vlefshmërinë e saj jemi në një proces të hapur hetimor pranë Prokurorisë së Tiranës, unë u kam kërkuar informacion punëtorëve që po punonin nëse kishin leje për vendosjen e saj.
Ata m’u përgjigjën: “Kush je ti që na kërkon llogari dhe letrat?”. Në atë moment u kam thënë se jam pronari i objektit dhe se për këtë çështje jam në Prokurori, pra ka të bëjë drejtpërdrejt me mua. Punëtorët refuzuan dhe më thanë: “Po të duash, njofto shërbimet e policisë.”
Më pas unë kam njoftuar shërbimet e Policisë dhe aty ka mbërritur një patrullë, e cila na pyeti paraprakisht si qëndronte puna. Ata më thanë se kishin njoftuar Policinë Bashkiake, pasi kjo çështje nuk ndiqej nga ana e tyre, dhe u larguan pasi nuk kishte konflikt, ndërsa palës tjetër i bënë me dije që të ndërpriste punimet.
Duke pritur shërbimet e Policisë Bashkiake, unë jam ulur në një kafene me një mikun tim. Në atë moment ka mbërritur shtetasi Nadir Çausholli, i cili në mënyrë kërcënuese m’u drejtua duke më thënë: “Hajde këtu”. Unë shkova tek ai, pasi mendova se do të më sqaronte me dokumentacion.
Ndërkohë, teksa po afrohesha, kanë ndërhyrë personat që e shoqëronin duke i thënë “Mos, mos”. Në atë moment shtetasi Nadir Çausholli goditi me shkelm një karrige, duke e fluturuar në ajër. Unë u shmanga për të mos u goditur, ndërsa ai vazhdonte të shante dhe të fyente.
Dua të sqaroj se në momentin kur personat që e shoqëronin i thoshin “Mos, mos”, dhe ai ngriti duart lart, kam dyshime se mund të ketë pasur me vete ndonjë mjet prerës ose armë zjarri të paligjshme. Dyshimet e mia mbështeten edhe nga personat që ndodheshin aty, si në kafene ashtu edhe në trotuar, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një hapësirë të vogël.
Pasi situata u qetësua disi dhe ne njoftuam përsëri Policinë, në prani të personave të tjerë që ndodheshin aty, sapo mbërriti shërbimi i Policisë, shtetasi Nadir Çausholli u afrua dhe filloi të më shante me fjalë fyese, si edhe më kërcënoi duke më thënë: “Do të zhduk nga faqja e dheut.”
Pas këtyre fjalëve ndërhynë shërbimet e Policisë dhe na shoqëruan të dyve në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë.
Duke pasur parasysh rrezikshmërinë e këtij shtetasi, i cili përveçse është dënuar disa herë për vjedhje dhe abuzime me tenderat e ilaçeve, kërkoj nga Policia e Shtetit marrjen e masave dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë.
Pasi një njeri që vjedh fondin e ilaçeve të pensionistëve dhe shkakton kush e di sa vdekje është në gjendje të kryejë çdo krim, e konsideroj një person me rrezikshmëri të lartë.
Përfundimisht, unë ndihem i kërcënuar nga shtetasi Nadir Çausholli dhe mbrojtja ime e vetme është kallëzimi pranë organeve kompetente.
Dua të sqaroj se shtetasi Nadir Çausholli, nëpërmjet shoqërisë së tij të taksive, ditën e sotme ka vendosur një pajisje të re karikimi, e cila nuk i korrespondon pajisjes së parë, e cila është sekuestruar më datë 18.05.2026 nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në Tiranë dhe është vlerësuar e ligjshme nga Prokuroria.
Në këto kushte, i bindur plotësisht se ata nuk ishin të pajisur me lejen përkatëse dhe për sa kohë çështja është në Prokurori, u kam kërkuar të njihem me dokumentacionin përkatës, i cili rezultoi i rremë, për aq sa unë kam dijeni, dhe ata janë në shkelje flagrante të ligjit.
Gjithashtu, shoqëria “Lani” sh.p.k. nuk është ndalur me kaq, por ka dërguar shkresa përcjellëse në OSHEE, Tirana Parking, Bashkinë Tiranë, Sektorin e Transporteve, si edhe te nënkryetarja e Bashkisë.
Dua të sqaroj se nuk ndihem vetëm i kërcënuar për jetën time dhe të familjes sime, por edhe për dëmtimin e imazhit të biznesit “Sky Hotel” dhe “Sky Tour”.

