Aplikacion
Një sherr i dhunshëm me përdorimin e thikës dhe sendeve të forta ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë, duke përfunduar me tre persona të arrestuar, një të proceduar penalisht dhe një tjetër të shpallur në kërkim.
Sipas Policisë, konflikti ka ndodhur në hyrje të parkimit të një pallati, ku disa persona janë përplasur për motive të dobëta. Gjatë sherrit, njëri prej tyre ka përdorur një mjet prerës, ndërsa në konflikt janë përdorur edhe sende të forta.
Në pranga shtetasit Luçiano Nurçja, 46 vjeç, Albert Lika, 44 vjeç dhe Enea Kurti, 23 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Ndërkohë, u procedua penalisht në gjendje të lirë 33-vjeçari me iniciale A. I., i cili ndodhet i shtruar në spital nën kujdesin e mjekëve.
Policia shpalli në kërkim edhe shtetasin E. L., 17 vjeç, i dyshuar si bashkëautor në plagosjen e rëndë me dashje, si edhe për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Vijojnë kërkimet për kapjen e tij.