Aplikacion
Sektori i ndërtimit në Shqipëri, i dominuar vitet e fundit nga rritja galopante e kullave të larta, është shndërruar në mekanizmin kryesor të pastrimit të parave për llogari të krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës. Ky denoncim i ashpër ka ardhur nga foltorja e Kuvendit, ku opozita ka hedhur akuza të drejtpërdrejta për një bashkëpunim mes qeverisë dhe karteleve të krimit.
Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi riktheu në vëmendje dosjen italiane “Basso Profilo”, duke argumentuar se mafia kalabreze e kishte parashikuar Tiranën si një destinacion ideal për investimin e kapitaleve të pista. Sipas Bylykbashit, përgjimet e antimafias italiane dëshmuan interesin e tyre për lejet e ndërtimit që jepen në kryeqytet.
Oerd Bylykbashi: “Tani nuk ka njeri që nuk e ka kuptuar këtë gjë prej vitesh tashmë në Shqipëri, edhe ju e kuptoni dhe ju e dini shumë mirë që është një nga sektorët kryesorë të pastrimit të parasë, krimit të organizuar. Para disa vitesh, po t’ju kujtohet, u hap një çështje ku nxirrte që Ndrangheta italiane kishte futur këmbët në Shqipëri. Ishte një operacion i cili në Itali u njoh me emrin Basso Profilo. Profili i ulët. Sepse në konceptin e krerëve të asaj organizate, pjesë të Ndranghetës, ishte që ta mbajmë profilin e ulët të mos dukemi. Dhe në Shqipëri ishin me një dyqan të vogël që shisnin veshje pune, por në fakt projektet i kishin shumë të mëdha për t’u lidhur me shtetin apo përtej. Në një nga bisedat e interceptuara ishte që këta personazhe të organizatës mafioze, që është më e madhja në botë, më e pasura, më e rrezikshmja, më pas, sipas prokurorit antimafia Gratteri, vjen mafia shqiptare. Këta personazhe thonin, njohim, kemi gjetur një në Tiranë që ka nja dy leje për kulla të larta, i duhen para, nuk ka, duket me interes. Pra ishte shumë e qartë, bëhet fjalë për investim dhe pastrim të parave të mafias në sistemin e në sektorin e ndërtimit, në mënyrë specifike atë të kullave që kanë mbushur Tiranën.”
Një nga pikëpyetjet më të mëdha të ngritura është kostoja absurde e shitjes në raport me fuqinë blerëse të shqiptarëve dhe numrin e lartë të apartamenteve që mbeten të pabanuara. Deputeti ngriti dyshime se disa prej këtyre njësive banimi shërbejnë si “depo” për para fizike.
Oerd Bylykbashi: “Këto kulla që shihni ju sot, se mos kuptojmë ne se janë si rasti i këtyre porteve që kujt i teket, dalin. Po të shihni, ka një përmbledhje, duhet ta ketë në zyrë kryeministri, të projekteve të konkurseve të qendrës së Tiranës të viteve 2005-2007. Po thuajse të gjitha këto kulla i shihni atje. E ka pasur idenë e qartë shumë ai, se çfarë do të bënte. Dhe nuk ka një çudi që në Shqipëri edhe kur ishte kryetar bashkie, bashkëpunimin e kishte me krimin e organizuar, po jo të këtij niveli që është sot. Sepse sot ne po flasim me nivele krejt të tjera, ne po flasim për kartele. Në Durrës është karteli më i madh i kokainës në rajon. Ka ulur çmimin e kokainës. Në Elbasan është një nga kartelet më të fuqishme të heroinës. E me radhë e me radhë. Të koordinuara me një zëvendëskryeministër të krimit të organizuar, i cili sot është gjoja in kërkim, por në fakt nuk është në kërkim. Tani, nuk ka njeri që nuk e din që tashmë dihet që në Tiranë janë 50.000 apartamente bosh.”
Bylykbashi theksoi se çmimet që arrijnë deri në 5,000 euro për metër katror nuk justifikohen nga tregu real:
Oerd Bylykbashi: “Por gjithashtu ta thonë, pra ky sukses i jashtëzakonshëm prodhon që ndërtohen dhe këto, nuk shiten. Po kush i blen nga tre, katër, pesë mijë euro metri katror nëpër kulla? Kush e bën këtë? Çiftet e reja nuk kanë mundësi. Po as kushdo, edhe një që ka para thotë, prit një sekond se nuk është shaka. Tre, katër, 5.000 euro metri katror, ti investoj për një apartament 100 metra katror, të harxhoj gjysëm milioni euro në mes, Tiranës, në fakt është mesi i Parisit. Sado ne mund ta duam këtë gjë, nuk është njësoj. Atëherë, ka njerëz që të thonë dhe këtë gjë, që nëpër hyrjet e këtyre kullave gjen edhe roje sigurie speciale. Pse? Se ta thonë dhe arsyen pse. Ka aty apartamente të cilat janë ding me euro, me euro të drogës. Ruhen që mos të shkojë njeri aty. Tani, këto janë punë për SPAK-un. Po këtë, këtë thonë njerëzit, që po ndodh.”
LEXO EDHE: https://zoom.al/shqiperia-lavatricja-europiane-e-pastrimit-te-parave-tirana-epiqendra/
Denoncimi u shtri edhe në qytetin bregdetar të Durrësit, ku sipas opozitës, planet për zhdukjen e stadiumit ekzistues fshehin interesat e mafias në projekte ndërtimi gjigante.
Oerd Bylykbashi: “Po pse është vetëm në Tiranë kjo punë? Jo, nuk është vetëm në Tiranë. Kjo është kudo që mund të luajnë interesa. Për shembull, kur unë isha nxënës gjimnazi, stadiumi i Durrësit ishte në fundin e qytetit. Sot nuk është më fundi, është diku, përsëri nuk është zonë aq e lakmuar. Kanë vendosur ta zhdukin stadiumin e Durrësit, se do ta marrin për të ndërtuar pesë kulla deri në 50 e ca kate shkojnë. Dhe po të kërkohet, ekziston fiks shprehja e Falkones, Ndiq paranë dhe do të gjesh mafian edhe aty. Por, meqë nuk kanë rënë dakord me sa duket me përqindjet, se interesi për të blerë kulla në atë zonë të Durrësit për të jetuar, nuk është zonë elitare, është. Është anulluar sërish procedura, është anulluar procedura për t’u rihapur, shihni kur të bjerë përqindja që përfiton shteti në këtë kontratë.”
Ky denoncim vjen në një kohë kur sektori i ndërtimit po përjeton kulmin e tij, ndërsa institucionet si SPAK po monitorojnë gjithnjë e më shumë flukset financiare që dyshohet se vijnë nga aktivitete të jashtëligjshme. Po sot, kryeministri Edi Rama deklaroi se ndërtimi e transformoi Shqipërinë dhe se akuzat për ta kriminalizuar këtë sektor janë tentativa për të përbaltur vendin. /Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës