Aplikacion
Paqja Fiskale, goditja më e rëndë që i bëhet shtetit në 30 vite
Paqja fiskale që qeveria pritet të miratojë është paraqitur nga kryeministri Rama si një politikë lehtësimi për bizneset, por në thelb është një mekanizëm i rrezikshëm që cenon sistemin tatimor, godet konkurrencën e ndershme dhe ndihmon grupet kriminale dhe të personat e përfshirë në korrupsion që të legalizojnë paratë e tyre.
Rreziku i parë që sjell ajo është legjitimimi i parave të padeklaruara ndër vite. Çdo subjekt që ka shmangur tatimet, që ka fshehur të ardhura, që ka funksionuar me dy bilance apo ka qarkulluar para informale, mund të paraqitet në tatime, të paguajë një përqindje minimale (vetëm 5%) dhe të shpallet i pastër. Në thelb, qeveria po u jep falje historike pikërisht atyre që e kanë thyer ligjin. Për ta kuptuar më thjeshtë, një biznes që raportuar rregullisht çdo të ardhur ka paguar në tatime 15% të të ardhurave dhe 8% të dividentit, me një total prej 23%.
Një tjetër rrezik është mesazhi që kjo politikë i jep tregut. Paqja Fiskale që synon Rama do të thotë se nuk ka rëndësi që e ke shkelur ligjin, sa tatime ke fshehur apo sa para ke futur në ekonomi nga burime të dyshimta, pasi gjithçka mund të zgjidhet me një pagesë të vogël. Kjo mënyrë krijon pritshmërinë se edhe në të ardhmen do të ketë një paqe tjetër, duke inkurajuar kështu bizneset e parregullta që t’i fshehin sërish paratë dhe të mos i deklarojnë të ardhurat dhe duke demotivuar si biznesin e rregullt ashtu edhe vetë respektimin e rregullave nga të gjithë.
Rreziku i tretë dhe më i rëndësishëm lidhet me pastrimin e parave. Me një tarifë 5% të deklarimit, kushdo që ka para informale, qofshtënga evazioni apo edhe nga aktivitetet kriminale, mund t’i fusë ato në qarkullim, në ekonomi, pa asnjë problem. Me miratimin e Paqes Fiskale sistemi bankar detyrohet të pranojë para që deri dje do të kishin ngritur flamurintë kuq dhe raportime për pastrim parash. Në këtë mënyrë, grupet kriminale mund të lidhen me biznese të ndryshme, me të cilat operojnë prej vitesh dhe t’i deklarojnë përmes tyre të ardhurat. Në këtë mënyrë mund të veprojnë edhe personat e përfshirë në korrupsion.
LEXO EDHE: https://zoom.al/skema-paqja-fiskale-lavatrice-e-parave-te-pista/
Paqja fiskale dëmton edhe konkurrencën. Bizneset që kanë paguar në kohë çdo taksë e detyrim, që kanë respektuar ligjin, që u janë përmbajtur rregullave, dalin të humbur. Fitues janë ata që kanë fshehur deklarimet, sepse përfitimi i tyre është shumë herë më i madh se shkelja. Në një ekonomi të vogël si Shqipëria, ku informaliteti është i lartë, kjo politikë favorizon të pandershmit, dhe penalizon të ndershmit.
Një tjetër problem është ndikimi që kjo mënyrë e të vepruarit ka te administrata fiskale. Nëse shteti e ndryshon filozofinë tatimore sipas nevojave buxhetore, duke falur borxhe dhe duke amnistuar shkeljet sa herë ka nevojë për para, atëherë, askush nuk e merr seriozisht ligjin dhe tatimet kthehen në mjet politik. Mesazhi që i jepet administratës është se ligji është i negociueshëm, jo i detyrueshëm.
Rreziku më i madh është ai që përmendet më pak, siç është ndërhyrja në hetimet fiskale dhe financiare. Çdo kompani që ka manipuluar bilancet, që ka transferuar para jashtë, që ka lëshuar fatura fiktive apo që ka përdorur skema kriminale, me Paqen Fiskale të Edi Ramës i fshin të gjitha gjurmët. SPAK dhe çdo organ tjetër hetimi humbet çdo bazë për të kërkuar llogari. Në thelb, me një akt politik, qeveria i jep imunitet financiar një numri të madh personash, përfshirë individë me rrezik të lartë kriminal.
Kjo është arsyeja pse shumë vende të BE-së i kanë të ndaluara kategorikisht amnistitë fiskale me natyrë të gjerë. Ekspertët konsiderojnë se ato krijojnë më shumë dëm sesa përfitim, sepse cënojnë sistemin e kontrollit, i hapin derën pastrimit të parave dhe shkatërrojnë besimin te tatimet.
Prandaj paqja fiskale e propozuar nga Edi Rama nuk është një politikë ekonomike dhe nuk zgjidh problemet që kanë bizneset me formalizimin, pasi në këtë formë ajo e favorizon informalitetin, pasi u jep avantazh në treg atyre që asnjëherë nuk luajnë sipas rregullave. /Zoom.al
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës