zoom

Aktualitet

Jorida Tabaku: Paqja Fiskale është Amnisti për klientët e qeverisë, përfituesit fshihen

Jorida Tabaku: Paqja Fiskale është Amnisti për klientët e qeverisë, përfituesit fshihen

Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit buxhetin 2026 dhe paketën fiskale, me votat e mazhorancës, duke kaluar njëkohësisht edhe nismën e debatuar të quajtur “Paqja Fiskale”.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi ashpër duke e cilësuar këtë nismë si një “Amnisti Fiskale të plotë” për tre vitet e ardhshme.

Tabaku argumentoi se skema e re u mundëson bizneseve norma më të ulëta tatimore, si edhe përjashtim total nga çdo kontroll i strukturave shtetërore. “Bizneset nuk do të kenë mbi kokë shtetin për tre vitet e ardhshme. Tatime, dogana, inspektorë – të gjithë do t’i lënë të qetë. Ky është një falje e plotë fiskale,” deklaroi ajo.

Deputetja demokrate tha se i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Financave listën e përfituesve të kësaj skeme, por sipas saj, transparenca mungon plotësisht. Ajo ngriti një sërë pyetjesh të cilat, siç nënvizoi, qeveria po i shmang qëllimisht:

  • A kanë këto biznese kontrata publike apo tendera nga buxheti i shtetit?
  • A janë përfitues të koncesioneve?
  • A kanë kryer evazion fiskal?
  • A janë të përfshirë në hetime për korrupsion?

“Këto janë pyetjet kryesore për të kuptuar për kë bëhet kjo Amnisti Fiskale. A bëhet për shumicën e bizneseve, apo si gjithmonë, për pakicën e klientelës së qeverisë?” theksoi Tabaku.

Ajo paralajmëroi se qeveria po e zvarrit publikimin e të dhënave deri në miratimin përfundimtar të buxhetit, ndërsa opinioni publik – sipas saj – ende nuk ka asnjë informacion se kush janë përfituesit realë të kësaj skeme.

Në përmbyllje, Tabaku e quajti Paqen Fiskale “një operacion politik të paketuar si reformë ekonomike”, duke theksuar se opozita do të këmbëngulë deri në fund për transparencë të plotë mbi çdo përfitues. Zoom.al/

Postime të lidhura