zoom

Lajme

Banka Shqiptare e Zhvillimit, ngrihet një tjetër lavatriçe financiare. Tabaku ngre alarmin: Rrezik për kursimet e shqiptarëve

Banka Shqiptare e Zhvillimit, ngrihet një tjetër lavatriçe financiare. Tabaku ngre alarmin: Rrezik për kursimet e shqiptarëve

Pas JET Bank, një bankë që rrezikon të kthehet në një “sude digjitale”, një tjetër alarm vjen në sektorin bankar shqiptar me ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

Deputetja Jorida Tabaku nuk ka dyshim se kjo është një lavatriçe financiare dhe një rrezik për paratë e shqiptarëve. Ashtu si banka digjitale JET Bank, ndonjëse me mënyrë tjetër operimi, edhe Banka Shqiptare e Zhvillimit do të operojë larg mekanizmave të monitorimit. “Pa asnjë kontroll real, përmes të cilit mund të abuzohen qindra miliona euro nga paratë tuaja”, paralajmëron Tabaku. “Nuk jep llogari askund pëveçse te zyra e kryeministrit”.

Në postimin që Zoom.al po e boton të plotë, Tabaku rendit arsyet se përse BKZH është një instrument i rrezikshëm për kursimet e qytetarëve:

POSTIMI I TABAKUT:

Në kulmin e një krize të thellë korrupsioni, krize reale të qeverisjes dhe mungese legjitimiteti politik të shumicës, u miratua dhe u ngrit Banka Kombëtare e Zhvillimit.
Në letër, synimi i kësaj banke paraqitet gjithmonë dashamirës për ekonominë. Ashtu siç ishin “dashamirëse” edhe inceneratorët, PPP-të apo tenderat publikë që sot janë simbol i abuzimit dhe korrupsionit, ku paratë e shqiptarëve përfundojnë në duart e një grushti njerëzish.

Në realitet, pas kësaj fasade zhvillimi, Banka e Zhvillimit rrezikon të kthehet në një tjetër lavatriçe financiare, një instrument i rrezikshëm pa asnjë kontroll real, përmes të cilit mund të abuzohen qindra miliona euro nga paratë tuaja.

Problemi nuk është ideja e bankës, por arkitektura e saj e qëllimshme për të vjedhur në hije.

Sipas ligjit të miratuar, kjo bankë funksionon si një “ishull financiar” ku qeveria bën çfarë të dojë:

  • Nuk mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë!
  • Nuk i nënshtrohet kontrollit teknik të KLSH-së për kreditë që jep!
  • Dhe më e rrezikshmja: Do të mbledhë kursimet tuaja në Postë për t’ua dhënë si kredi klientëve të qeverisë!

Me pak fjalë, ajo nuk jep llogari askund përveçse te zyra e kryeministrit.
A ka banka zhvillimi në Europë? Po, padyshim që ka. Por ka një dallim që kjo qeveri nuk e thotë:

Në Gjermani, KfW kontrollohet deri në qindarkën e fundit nga Banka Qendrore dhe Parlamenti. Në Itali, çdo investim i Cassa Depositi e Prestiti kalon në sitën e institucioneve të pavarura. Atje ka shtet! Këtu ka vetëm babëzi.

Në asnjë vend serioz nuk ekziston një bankë që menaxhon para publike pa një palë të tretë që i vendos frenat. Por këtu, frenat i ka hequr qeveria që t’i japë gaz korrupsionit.
Shqipëria sot nuk ka nevojë për një tjetër “gropë financiare” që i shërben një pakice klienteliste.

Ka nevojë për institucione që mbrojnë djersën e qytetarëve, jo për një bankë që financon PPP-të dhe dështimet e radhës me kursimet e prindërve tanë.
Ndalini duart nga paratë e shqiptarëve! Shqipëria nuk ka nevojë për bankën e pushtetit, por për drejtësi dhe ekonomi që punon për të gjithë!

Postime të lidhura