zoom

Aktualitet

AKSK apel qytetarëve: Kujdes nga telefonatat mashtruese në emër të bankave

AKSK apel qytetarëve: Kujdes nga telefonatat mashtruese në emër të bankave

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ftoi sot qytetarët të rrisin nivelin e vigjilencës ndaj mesazheve mashtruese që imitojnë banka dhe institucione të njohura.

Në një njoftim zyrtar bëhet me dije se janë identifikuar raste të thirrjeve të dyshimta përmes aplikacioneve të komunikimit, ku përdoruesit kontaktohen nga adresa emaili që përdorin emra, logo dhe identitete vizuale të bankave apo institucioneve të njohura për të fituar besimin e tyre.

Mashtruesit mund të paraqiten si përfaqësues të një banke ose institucioni, duke pretenduar se ka probleme me llogarinë tuaj, se kërkohet verifikim i të dhënave ose se duhet të kryeni një veprim urgjent.

Për të rritur sigurinë e të dhënave, AKSK apelon qytetarët që të mos ndajnë kredencialet e hyrjes në llogaritë e tyre, kodet OTP ose kodet e verifikimit; të dhëna të kartave bankare dhe informacione të tjera personale apo financiare.

Qytetarët duhet të verifikojnë gjithmonë identitetin e personit që i kontakton përmes kanaleve zyrtare të institucionit përkatës; të mos i besojnë vetëm emrit, logos apo fotos së profilit; të mos klikojnë lidhje dhe mos instalojnë aplikacione të dërguara gjatë komunikimit; të ndërpritet menjëherë telefonata nëse iu kërkohen informacione dhe të bllokojnë dhe raportojnë llogaritë ose kontaktet e dyshimta në platformën përkatëse.

“Bankat dhe institucionet nuk ju kërkojnë kredencialet, fjalëkalimet apo kodet e sigurisë përmes telefonatave, videothirrjeve apo mesazheve”, thuhet në njoftim./ Zoom.al

Postime të lidhura