Aplikacion
Qeveria shqiptare ka krijuar një kompani me 700 milionë lekë para publike, i ka dhënë monopolin absolut të tregut të teknologjisë së informacionit dhe me një fjali të fshehur brenda vendimit, ka lënë portën e hapur për ta shitur deri në gjysmë privateve, pa asnjë kufizim se kujt.
Kompania quhet Albanian Digital Solution sh.a. (ADS). U themelua më 14 prill 2026. Nuk ka asnjë punonjës të njohur publik. Por ka diçka që nuk e ka dhe nuk mund ta blejë as me para asnjë kompani; monopolin ligjor mbi çdo kontratë shtetërore të IT-së në vend dhe çmimin e caktuar nga vetja.
Tani, ky monopol mund të bëhetë pronë private. Dhe këtu nis e gjithë historia e kësaj kompanie që pas saj ka AKSHI-n e tenderave të Mirlinda Karçanajt, Ergys Agasit dhe Ermal Beqirajt, të tre nën hetim nga SPAK, dy prej të cilëve në kërkim.
Çfarë është Albanian Digital Solution
ADS nuk është produkt i ndonjë strategjie të shpallur publike apo i një gare. Është produkt i një vendimi qeveritar, i nxjerrë befas, i miratuar pa diskutim publik dhe i ndërtuar mbi themelet e krizës së institucionit që e zotëron atë, AKSHI.

Konteksti i krijimit është jo pak domethënës. ADS lindi pak javë pasi SPAK goditi disa zyrtarë të AKSHI-t për dyshime korrupsioni dhe abuzim me tendera. Qeveria prezantoi ADS si “riorganizim dhe modernizim”. Por ADS shihet si hija monstruoze e AKSHI-t me kostum të ri.
Mekanizmi, si funksionon monopoli pa tender
Për të kuptuar rrezikun e shitjes së aksioneve, duhet kuptuar fillimisht fuqia e jashtezakonshme që ka ADS, fuqi të cilën qeveria ia ka dhënë me vendim, jo me ligj të miratuar nga parlamenti.
Skema me tri hapa
Hapi i parë: çdo institucion shtetëror, nga Ministria e Financave tek bashkitë, që ka nevojë për ndërtim ose mirëmbajtje sistemi digjital, është i detyruar ligjërisht t’i drejtohet AKSHI-t. Nuk ka alternativë.
Hapi i dytë: AKSHI harton termat e referencave dhe ia kalon kërkesën ADS-së. ADS vendos nëse e pranon kontratënbrenda 10 ditëve.
Hapi i tretë dhe më kritiku: ADS i cakton vetë çmimet, pa garë, pa oferta konkurruese, pa vlerësim të pavarur. Ajoanalizon shërbimin e kërkuar, e klasifikon sipas kategorisë dhe nivelit të kompleksitetit dhe nxjerr koston totale, duke shtuar mbi të një marzh fitimi të parashikuar nga vendimi i qeverisë.

| Çmimi nuk përcaktohet me garë, por është vetë ADS si ofruese e shërbimit, e cila cakton çmimin që do të paguajnë institucionet shtetërore. |
Marzhet duken modeste në letër. Por kur aplikohen mbi kontrata me vlera miliona euro, si për shembull sistemi i thesarit, regjistrat kombëtarë, platformat e shëndetësisë, ato përfaqesojnë dhjetë miliona lekë fitim të garantuar, pa garë, pa rrezik tregtar.
Aksionet, porta e hapur drejt privatizimit
Deri këtu ADS është një monopol shtetëror me probleme shumë serioze transparence. Por ajo çfarë e ngre çështjen në nivel alarmues është një klauzolë e vetme, e futur pa bujë brenda vendimit të Këshillit të Ministrave:
| Aksionet e ADS mund të tregtohen lirisht dhe në të mund të bëhen pronarë deri në 49 për qind edhe privatët.— Vendim i Këshillit të Ministrave, prill 2026 |
21 fjalë. Por pasojat e tyre janë të paimagjinueshme.
Çfarë do të thotë konkretisht 49%?
Në të drejtën tregtare shqiptare, një aksioner me 49% nuk kontrollon kompaninë. Aksioneri shumicë, AKSHI me 51%, ka fjalën e fundit. Por ky argument do të përdoret si justifikim dhe është një argument i rremë, për disa arsye.
Një aksioner me 49% ka të drejtë të plota informacioni, akses në çdo kontratë, çdo klient, çdo çmim, çdo plan investimi të ADS. Kjo do të thotë akses në të dhënat e infrastrukturës digjitale të gjithë shtetit shqiptar.
Çdo vendim strategjik i madh, si partneritetet me kompani private, si caktimi i nënkontraktuesve, si hapja e kapitalit të mëtejshëm kërkon miratim bordi ku aksioneri 49% ka peshë të konsiderueshme.
Shpërndarja e fitimeve është proporcionale: 49% e marzheve mbi çdo kontratë publike të IT-së del direkt në xhepat e aksionerit privat, pa asnjë garë.
Nuk ka asnjë kufizim ligjor se kush mund të blejë aksionet, individ, kompani vendase, grup i huaj, ose sipas skenareve më të zymtë, kompani e lidhur me politikën.
| Shteti po shet 49% të monopolit kombëtar të IT-së — duke përfshirë aksesin në infrastrukturën digjitale të gjithë institucioneve shtetërore — pa asnjë kriter transparent për blerësin, pa garë publike dhe pa miratim parlamentar. |
TRE SKENARË RREZIKU
Analiza e strukturës ligjore të ADS zbulon tre skenarë konkretë rreziku, të cilët nuk janë hipotetike, por mundësi aktive të hapura nga vetë vendimi qeveritar.
Skenari 1 — Privatizimi i fshehur
Nëse një kompani private blen 49% të aksioneve të AD, shteti formalisht ruan kontrollin. Por praktikisht, blerësi privat bëhet i gjithëfuqishëm. Ai merr 49% të të gjithë fitimeve të ADS, ka akses në çdo kontratë publike të IT-së dhe mund të influencojë, nëpërmjet bordit, se cilat kompani private të merren si nënkontraktues.
Nuk ka asnjë tender. Nuk ka asnjë procedurë prokurimi. Shteti paguan, privati përfiton.
Skenari 2 — Monopoli i dyfishë
Aksioneri privat me 49% të ADS është njëkohësisht pronar ose partner i nënkontraktuesve që ADS zgjedh për të realizuar projektet. Meqënëse ADS zgjedh nënkontraktuesit sipas “diskrecionit të saj”, pa tender, blerësi privat kontrollon edhe hyrjen edhe daljen e parasë publike.
E shprehur më thjesht: shteti paguan ADS, ADS paguan nënkontraktuesin, nënkontraktuesi i takon aksionarit të ADS. E njejtë dorë mbledh dy herë.
Skenari 3 — Akses i huaj i pakontrolluar
Vendimi nuk specifikon asnjë kufizim kombësie për blerësin e aksioneve. Teorikisht, 49% e ADS mund të blihen nga një kompani e huaj ose nga një kompani e lidhur me interesa të huaja shtetërore.
Kjo do të thotë, akses i drejtpërdrejtë dhe ligjor në infrastrukturën digjitale shtetërore të Shqipërisë, si sisteme tatimore, regjistër civil, të dhëna shëndëtesore, sisteme financiare. Aspekti i sigurisë kombëtare i kësaj klauzole nuk është diskutuar kurrë publikisht.
| A ka bërë ndonjëherë qeveria shqiptare vlerësim të sigurisë kombëtare para se të hapë 49% të monopolit të infrastrukturës digjitale shtetërore ndaj blersëve privatë të pakufizuar? Nëse po, përse ky vlerësim nuk është bërë publik? |
A EKZISTON KY MODEL DIKU TJETËR?
Modeli ku shteti krijon një shoqëri publike për shërbime IT nuk është i pazakontë. Por ajo çfarë e dallon ADS nga çdo model europian i njohur janë tre veçori të kombinuara.
Monopoli ligjor — detyrimi i çdo institucioni shtetëror për t’u drejtuar ekskluzivisht tek ADS.
Çmimi vetë-caktues — asnje mekanizëm i jashtëm vlerësimi apo çmimi referues transparent.
Hapja e aksioneve pa kriter — shitja e deri 49% pa procedurë, kriter ose kufizim kombësie.
Vendet skandinave kanë agjenci shtetërore IT, por ato janë të detyruara të ndjekin prokurimin publik për nënkontratat. Gjermania ka shoqëri të ngjashme, por me bordet e mbikëqyrjes publike, raportim parlamentar dhe ndalim shprehimor të shitjes së aksioneve ndaj privatëve pa miratim ligjor.
Modeli ADS, i kombinuar me klauzolën e 49%, nuk ka precedent të njohur në Bashkimin Europian.
AKSHI, SPAK DHE URGJENCA PËR ADS
ADS krijua në mes të një krize institucionale të AKSHI-t.
Në muajt e fundit, SPAK ka hetuar zyrtarë të AKSHI-t për dyshime korrupsioni dhe abuzim me fondet publike në tendera IT. Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, Igli Tafa, është ai që nënshkroi aktin e themelimit të ADS si aksionari i saj i vetëm. Më pas, kur vendimi qeveritar solli kapitalin prej 700 milionë lekësh, kompania tashmë ekzistonte.
Paradoksi qëndron në faktin se ADS u themelua në të njejtën ditë kur u miratuan akti i themelimit, statuti, emërimi i administratorit, këshillit mbikëqyrës dhe audituesit ligjor, gjë që ngre pyetje serioze nëse janë respektuar procedurat ligjore. Normalisht, procese të tilla marrin javë apo muaj.
| AKSHI nuk është më i vetëm, do të funksionojë i ndarë me një shoqëri të re publike, kompani 100 për qind shtetërore që do të synojë të rekrutojë më të mirët e tregut.— Kryeministri Edi Rama, maj 2026 |
ADS është 100 për qind shtetërore deri sa dikush të blejë 49% të aksioneve. Dhe askush nuk ka shpjeguar se kush do të jetë ai dikush, si do të zgjedhet dhe sa do të kushtojë ajo gjysmë e monopolit kombëtar.
PYETJET PA PËRGJIGJE
Duke analizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e ADS, lindin një sërë pyetjesh:
Cili është procesi konkret me të cilin do të shiten aksionet e ADS deri në 49%? Do të jetë garë publike apo negociatë direkte?
A ekziston ndonjë kriter ligjor për blerësin, kombësia, kapaciteti financiar, reputacioni, lidhjet me sektorin publik?
A ka bërë qeveria vlerësim të sigurisë kombëtare përpara se të lejojë blerjen e 49% të një kompanie me akses në infrastrukturën digjitale shtetërore?
Si do të garantohet pavaresia e ADS nga aksionari privat minoritar, veçanërisht në zgjedhjen e nënkontraktuesve?
Kush do të kontrollojë çmimet që ADS cakton? A do të ketë ndonjë auditim i pavarur i marzheve?
Pse kjo klauzolë nuk u paraqit në Kuvend për debat e miratim, duke qenë se prek interesin publik kombëtar?
KONKLUZIONET
Albanian Digital Solution është, sipas vendimit qeveritar, një shoqëri shtetërore. Por është ndërtuar si një strukturë që mund të kthehet shumë shpejt në diçka krejtesisht tjetër, një biznes privat me monopol ligjor shtetëror, akses të pakufizuar në kontratat publike dhe zero detyrim të ndjekë prokurimin publik.
Klauzola e 49% nuk është detaj teknik. Është çelësi i gjithë arkitekturës. Sepse pa të, ADS mund të ishte thjesht një agjenci shtetërore si të gjithë të tjerat. Me të, ADS bëhet porta përmes të cilës monopoli kombëtar i IT-së mund të shitette privati, copa-copa, pa bujë, pa tender, pa debat parlamentar. Dhe imagjinoni privatët që ka Shqipëria.
Shqipëria ka nevojë urgjente për infrastrukturë digjitale moderne dhe kompetente. Por nevoja për modernizim nuk justifikon krijimin e strukturave pa llogaridhenie, pa konkurrençë dhe me shteg të hapur privatizimi të fshehur. Nëse qeveria ka qellime të mira me ADS, mund t’i vërtetojë me veprime të thjeshta: transparencë të plotë mbi blerësin e mundshëm, debat parlamentar mbi klauzolën e aksioneve, dhe auditim të pavarur të çmimeve.
Deri sa këto gjëra të ndodhin, Albanian Digital Solution mbetet një çështje e hapur dhe një rrezik real. /Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin