Aplikacion
Një tjetër episod që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e funksionimit dhe administrimit të fondeve publike lidhet me kompaninë Albanian Digital Solutions SHA, e prezantuar dje nga kreu i qeverisë, Edi Rama.
Kjo shoqëri është themeluar zyrtarisht më 15 prill të këtij viti, me administrator Saimir Kapllanin, ndërsa aksioner i vetëm me 100% të kapitalit është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). ADS do të kryejë proceset teknologjike të shërbimeve publike, duke larguar shtetin gradualisht nga marrëdhëniet me privatët.
Për Kapllanin, kjo fushë nuk është e panjohur. Ai ka qenë dikur drejtues i AKCESK, autoriteti përgjegjës i sigurisë kibernetike në vend, i cili dështoi në detyrën e vet dhe u shkri shpejt nga qeveria, pas një sërë skandalesh të tjera. Kapllani rezulton bashkëpunëtor i mirë i Igli Tafës, drejtuesi aktual i AKSHI-t, ndërsa foto të tjera e nxjerrin atë dhe në praninë e biznesmenit në kërkim, Ermal Beqiri.

Një nga pak informacionet publike për Kapllanin është fakti se ndërsa drejtonte AKCESK, paralelisht rezultonte i lidhur edhe me aktivitetin privat të lokalit “Ami & Vivi”, të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Por ajo që e bën këtë rast edhe më të pazakontë është një detaj që prek standardet minimale të administrimit korporativ. Sipas të dhënave të regjistruara në QKB, adresa elektronike e deklaruar për Albanian Digital Solutions SHA nuk është një adresë zyrtare e kompanisë apo e AKSHI-t, por adresa personale e administratorit: [email protected].

E njëjta adresë elektronike figuron e regjistruar edhe për subjektin privat “Ami & Vivi”, duke krijuar një situatë që ngre pikëpyetje mbi seriozitetin dhe profesionalizmin me të cilin është trajtuar krijimi dhe administrimi i një kompanie shtetërore në pronësi të plotë të AKSHI-t.
Fakti që një shoqëri aksionare publike, e krijuar për të operuar në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale, përdor si kontakt zyrtar adresën personale të administratorit, e cila njëkohësisht shërben edhe për një biznes privat, përbën një tjetër element që ushqen dyshimet mbi standardet e qeverisjes dhe kontrollit në këtë institucion.
Ky rast shtohet në listën e polemikave dhe pikëpyetjeve që kanë shoqëruar së fundmi aktivitetin e AKSHI-t, duke nxitur kërkesa për më shumë transparencë dhe llogaridhënie në menaxhimin e strukturave dhe kompanive në varësi të saj.
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës