Aplikacion
Filmi i shumëpritur nga publiku, “Fantastic Beasts: The Secrets of Dumbledore”, pati një hapje më pak magjike se që është parashikuar nga ekspertët e filmit. Projekti i fundit me magjistarë i bazuar në librat e autores J.K. Rowling, u ngjit në vendin e parë sa u përket arkave filmike të Amerikës Veriore me 43 milionë dollarë të fituara nga shitja e biletave nëpër kinema.
Kjo shumë mjaftoi për t’ia siguruar vendin e parë në këtë listë, por konsiderohet dukshëm më e ulët se ajo e fituar nga dy filmat e kaluar, “Fantastic Beasts”. Në vitin 2016, filmi i parë pati debutuar me 74 milionë dollarë të arkëtuara, kurse 2 vjet më vonë filmi i dytë i fitoi gjithsej 62.2 milionë dollarë në javën debutuese.
“The Secrets of Dumbledore”, vjen i realizuar me një buxhet prej 200 milionë dollarësh. Kritikët e industrisë së filmit duket se nuk janë të kënaqur me këtë vazhdim të filmit. Ai është vlerësuar keq në faqen “Rotten Tomatoes” si dhe po përcillet me komente kryesisht negative.
“Fantastic Beasts: The Secrets of Dumbledore” e sjell historinë e profesorit, Albus Dumbledore, teksa përpiqet ta shuajë dominimin e magjistarit të keq, Gellert Grindelwald, në botën e magjistarëve. Ky projekt është realizuar nga regjisori David Yates dhe në rolet kryesore i sjell aktorët yje: Eddie Redmayne, Jude Law, Mads Mikkelsen, Katherine Waterston, Dan Fogler, Alison Sudol, Callum Turner dhe Ezra Miller.
Besohet se shkaktarët e kësaj performance më të dobët të filmit mund të jenë largimi i yllit Johhny Depp nga projekti, dhe përfshirja e autores britanike J.K. Rowling në disa debate të ashpra me fansat, lidhur me komentet e saj transfobike. Por, shpresat më të mëdha për filmin që ta arkëtojë një shumë të kënaqshme mbeten tek tregu ndërkombëtarë.