Aplikacion
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në Asamblenë Kombëtare të PS-së se Erion Veliaj do të shkarkohet më në fund nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Në vend të tij, si kandidate për kryetare, ai propozoi Ogerta Manastirliun, ministren aktuale të Arsimit dhe një prej bashkëpunëtorëve më të ngushta të Ramës.
Vendimi i Ramës vjen vetëm një ditë pasi SPAK publikoi njoftimin për përfundimin e hetimeve ndaj kryebashkiakut të Tiranës, duke ngritur zyrtarisht akuza ndaj tij.
Koha e këtyre dy lëvizjeve, të SPAK-ut dhe Ramës, ka ngritur dyshime për një koordinim mes kryeministrit dhe Prokurorisë së Posaçme. Nëse SPAK do ta kishte bërë publik vendimin disa ditë më parë apo pas Asamblesë, efekti politik me gjasë mund të ishte ndryshe.
Koha e publikimit të vendimit të SPAKpër Veliaj nuk duket e rastësishme, pasi Partia Socialiste kishte njoftuar publikisht ditë më parë se do ta mblidhte Asamblenë Kombëtare më 11 shtator.
Këto dyshime thellohen nga akuza të vazhdueshme të opozitës dhe pjesës së opinionit publik se SPAK është nën ndikimin e Ramës. Në këtë rast, fakti që publikimi i akuzës u bë vetëm 24 orë para vendimeve të rëndësishme brenda PS-së, ngre pikëpyetje të mëdha mbi pavarësinë e institucionit dhe nëse ky proces ishte i natyrshëm apo pjesë e një strategjie të koordinuar me Partinë Socialiste, për t’i dhënë mundësi Edi Ramës të justifikonte vendimin e tij ndaj Veliajt.
Me vendimin e djeshëm SPAK rrezikon të përforcojë perceptimin se drejtësia në Shqipëri mbetet e lidhur me politikën, pavarësisht reformës. /Zoom.al