zoom

In Zoom

A do t’i prishë Jared Kushner, dhëndri i ish -presidentit Trump, zonat e mbrojtura në Zvërnec?

Jared Kushner, dhëndri i ish -presidentit Trump ishte i bindur në intervistën e dhënë në Boomberg News se do t’i finalizonte negociatat me qeverinë shqiptare për të marrë ishullin e Sazanit, për të ndërtuar aty një resort luksoz turistik.

Qeveria shqiptare nuk e mohoi që ai kishte paraqitur një projekt dhe e konfirmoi lajmin vetëm pas interesimit të mediave, ndryshe nga herët e tjera që, për projektet e mëdha i kishte njoftuar dhe amplifikuar vetë apo nëpërmjet mediave që komandon.

Por në pak rreshtat e reagimit mohohej projekti për Zvërnecin.

Jorida Tabaku e vetmja që pati një reagim publik nga opozita për këto projekte, i mëshon idesë se ndërtimet në Sazan e veçanërisht në Zvërnec do të prekin zonat e mbrojtura.

Kjo është arsyeja, sipas saj, që qeveria Rama e ndryshoi ligjin për Zonat e Mbrojtura, shtyu afatin e ligjit për Investimet Strategjike dhe i kaloi KKTRSH-së që ka për kryetar kryeministrin të drejtën për të përcaktuar zonat detare, nëpërmjet një VKM-je.

“Tani që e gjithë panorama është e qartë, ku KKTRSH shndërrohet në përcaktuesen e Zonave të Mbrojtura, Investitorit Strategjik dhe së fundmi edhe përcaktuese e hapësirave detare. Në mediat ndërkombëtare lexojmë se qeveria shqiptare paska disa qëllime strategjike që të japë për investime në resorte ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin.
Shumë koinçidenca në të njëjtën kohë. Çfarë bëjmë kur kemi frikë nga ligji? Ndryshojmë ligjin! Çfarë bëjmë për t’i ikur vendimmarrjes individuale? E bëjmë kolektive dhe ja kalojmë parlamentit! Dhe krijojmë Bashkësinë e vendimmarrësve ku askush s’ka përgjegjësi, por të gjithë mund të jenë përfitues! Ligjvënia me porosi është forma më e sofistikuar e korrupsionit”,  -shkruaji ajo në një reagim ku solli detaje edhe për ligjet e ndryshuara.

Me ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura eleminohet tërësisht zonimi, jepet mundësi për ndërtime dhe struktura akomodimi deri tek 20 përqindëshi i zonës së mbrotjur dhe kompetencat e Ministrisë së Mjedisit në përcaktimin e zonave të mbrojtura i kalonin KKTRSH.

Komisioni Europian ka ngritur shqetësime mbi këtë çështje në progres-raportin për Shqipërinë.
Nëse ligjet nuk do të kishin ndryshuar, projekti i Jared Kushner, pas të cilit sipas gazetës prestigjoze New York Times qëndron edhe biznesmeni shqiptar, Shefqet Kastrati, nuk do të kishte asnjë shans të prekte Zonat e Mbrojtura. LEXONI KËTU:

Grenell “bëri pazaret”/ NY Times jep të gjitha detajet e marrëveshjes Rama-Kushner për Sazanin

Por tani, kompania e Jared Kushner është në rregull me ligjin, pasi ligji ka ndryshuar sipas interesiave të investitorit të mundshëm, siç lë të kuptohet deputetja Tabaku.

Deputetët socialistë me shumë gjasë as kanë pasur dijeni se për çfarë po e ndryshonin ligjin, siç ka ndodhur në shumë raste kur kanë ngritur kartonat me urdhër të partisë.

Por a ka qenë në dijeni Jared Kushner se aty nuk mund të ndërtohej kur së bashku me Richard Grenell e kanë diskutuar idenë me kryeministrin shqiptar dhe a ka marrë ai garanci nga kryeministri se ligji do të ndryshohej për t’ia mundësuar atij realizimin e projektit?

Dhe nëse ligji u ndryshua për interesat e tij, a është në dijeni ai se po shkatërron zona për të cilat Bashkimi Europian ka ngritur me forcë zërin për t’i mbrojtur?

Teksa diskutimet mes kompanisë së tij Affinity Partners dhe qeverisë shqiptare vijojnë, mediat dhe organizma të tjerë po zbulojmë më shumë mbi këtë projekt, i cili, që në ditën e parë të publikimit të tij, i ngjan më shumë një afere, siç lë të kuptohet edhe shkrimi i New York Times. /Zoom.al