zoom

Aktualitet

Projekti i dhëndrit të Trump në Sazan/ Salianji hedh hije dyshimi: A ka lidhje McGonigal?

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ngriti dyshime për projektin në Sazan që po negociohet mes dhëndrit të ish-Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe qeverisë shqiptare.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Sigurisë, Salianji shprehu shqetësimin se ky projekt cenon sigurinë kombëtare sepse në krye të kompanisë investuese është një oligark rus.

Më tej në arsyetimin e tij, Salianji hodhi dyshime për lidhje mes kompanisë që do të investojë dhe ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.

“E para, a ka lidhje me këtë kompani një i njohur nga ne, ju e publiku Charles McGonigal? Mjafton një kërkim i thjeshtë për të kuptuar se lidhja është e dukshme. E dyta, a ka lidhje dhe a i dëmton interesat e Shqipërisë fakti që një prej drejtuesve kryesorë është oligarku rus Vladislav Doronin? A keni shqetësime edhe ju si Komision Sigurie? Dua që investime të tilla të diskutohen këtu në Komisionin e Sigurisë”, u shpreh Salianji në Komisionin e Sigurisë.

Ai kujtoi edhe deklaratat e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi pak kohë më parë, i cili mohonte të kishte plane të qeverisë për të privatizuar Sazanin.

“Në këtë komision nuk ka përfaqësues të qeverisë. Dëgjuam dje kryeministrin Edi Rama që tha se një kompani e madhe ndërkombëtare do të investojë thuajse 1 miliard euro në ishullin e Sazanit.

Një vit e gjysmë më parë e kam pyetur ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi nëse baza e Sazanit do të jepet për privatët, i vihej zjarri në atë kohë dhe i kam thënë se flakët vendosen për të bërë hotele e është përgjigjur se nuk ka plan për privatizim të Sazanit.

Ne mbështesim çdo investim me garë, transparent, që mund të vijë në Shqipëri dhe që mund të bëjë më tepër për vendin tonë”, deklaroi Ervin Salianji.