zoom

Lajme

Rama justifikon pazaret me dhëndrin e Trump: Sazani s’është zonë e mbrojtur

Kryeministri Edi Rama e përdori mbledhjen në Asamblenë e Durrësit, për t’ju kundërpërgjigjur kritikave mbi lajmin se dhëndri i Trump do të marrë Sazanin.

Rama tha se Sazani nuk ka qenë asnjëherë zonë e mbrojtur, siç pretendohet. Por edhe nëse do të ishte kështu, Rama thekson se Jared Kushner dhe firma e tij kanë ndërtuar disa herë në zonat e UNESCO-s.

“Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveç se ushtarëve të Enver Hoxhës që vëzhgonin me dylbi zbarkimin e flotës së 7 amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Është forma më prestigjioze e hotelerisë në botë. Ka ndërtuar një dyzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s. Shqipëria ‘kampione e turizmit’, nuk është vetëm një slogan, por një projekt gjeopolitik që formësohet përmes projekteve konkrete që krijojnë mundësinë për këtë zhvillim historik. Sa për zonat e Mbrojtura e dimë shumë mirë se kush e shëmtoi dhe mbuloi me plehra trupin magjepsës të Shqipërisë. Qëllimi jonë strategjik nuk është fshehur.”

Kryeministri tha se Shqipëria nuk po u shitet 5 oligarkëve (referuar deklratave se janë të njëjtët biznesmenë që përfitojnë nga shteti), por qindra investitorëve. Ai tha se Sazani nuk po shitet, por po investohet.

“Jo nuk po ua shesim 5 oligarkëve. Janë qindra investitorë vendas që janë angazhuar për turizmin. Nuk do të shesim as Sazanin dhe asnjë pronë tjetër. Tjetër kush i ka nxjerrë në pazarin e botës me 1 euro dhe nuk i erdhi asnjë i marrë në Shqipërinë e zhytur në kriminalitet dhe që bënte lajm në botë vetëm për keq. Sot Shqipëria në të gjitha mediat e botës është një lajm i mirë. Sot Shqiptarët do të jenë pjesë përmes aksioneve të shtetit ne do të vigjilojmë që projektet të jenë me një strukturë prestigjioze arkitekturore. Ka pasur disa interesime për Sazanin dhe i kemi refuzuar pikërisht sepse nuk jemi as të interesuar për të bërë pazare. As të paditur të bëjmë zhvillime mediokre. Të kthehen në burim rritje dhe krenarie për Shqiptarët. Në duhet të punojmë paralelisht në shumë fronte.”-  përfundoi Rama.