zoom

Aktualitet

Sazani i jepet dhëndrit të Trump për resort, ministria e Turizmit e pranon: Ka paraqitur projekt

Qeveria ka konfirmuar lajmin se Sazani do t’i jepet dhëndrit të Donald Trump për resorte turistike.

Publikuar fillimisht nga Zoom.al, lajmi tregonte se Jared Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trump kishte kërkuar të investonte 1 mld dollarë në jug të Shqipërisë, por “ishte ende në bisedime me qeverinë”.

Në një përgjigje për VOA, ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha se kompania e Kushner ka paraqitur një aplikim pranë Agjencisë së Zhvillimit të investimeve për një projekt turistik në ishullin e Sazanit, si shumë aplikime që bëhen nga investitorë të huaj. Por sipas ligjit, thotë MTM, projekti duhet të kalojë në disa shkallë shqyrtimesh, para se të merren vendime dhe se ende nuk ka mbërritur në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit”.

Në shpjegimin e saj, ministria shprehet se “ka pasur edhe më parë interesime e kërkesa për zhvillim turistik në ishullin e Sazanit, çka padiskutim përkon në parim me ambicien tonë për ta kthyer ishullin në një xhevahir të kurorës së turizmit mesdhetar, por i kemi refuzuar, sepse objektivat zhvillimore të të interesuarve nuk i kemi konsideruar në perputhje me vizionin e një turizmi miqësor me mjedisin dhe natyrën, ekuilibër i domosdoshëm për Shqipërinë turistike të vizionit 2030”.

Për rastin e Zvërnecit, ministria tha se nuk ka dijeni për një projekt të tillë, duke shtuar se çdo propozim e përpjekje për të investuar në Shqipëri është i mirësardhur. 

Qeveria shqiptare nuk e ka fshehur ambicien për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve cilësore në turizmin e ekselencës dhe të hotelerisë me 5 yje, me standarte ndërkombëtare. Çdo investitor serioz që vjen, për më tepër nga vende aleate strategjike të Shqipërisë siç janë edhe SHBA-të, e ka derën të hapur për të kontribuar në rritjen cilësore të turizmit dhe të standarteve të larta në këtë sektor jetik për ekonominë e vendit”.

Jared Kushner synon të hyjë në Shqipëri me kompaninë e tij, Affinity Partners, në Zvërnec dhe Sazan. Ai planifikon të transformojë ishullin e Sazanit, i përdorur deri më vetëm si një baze ushtarake, në një eko-resort luksoz të markës Aman. Ai tha se “ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë”.

Kushner ka shpjeguar se duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, partner i tij biznesi, ai u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.

Kushner ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Pasi la punën e tij në qeveri, ai krijoi kompaninë Affinity Partners, e cila, sipas Bloomberg-ut, zotëron asete prej 3.1 miliardë dollarësh. Kompania pati mbështetjen e investitorëve nga vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Ai po shikon gjithashtu mundësi për të investuar në energjinë e rinovueshme, qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale./Zoom.al