zoom

In Zoom

15 pyetjet që opozita duhet t’i bëjë qeverisë për aferën e Portit të Durrësit

Publikimi i një pjese të kontratës mes shtetit shqiptar dhe “Eagle Hills Real Estate Development” i shtoi dyshimet mbi projektin e Portit të Durrësit.

Për herë të parë u zbulua se shteti do të përfitojë vetëm 2 përqind të xhiros vjetore nga Porti i Jahteve, një projekt që kushton 2.1 miliardë dollarë.

U zbulua gjithashtu se kompania offshore “Eagle Hills Real Estate Development” me përfaqësues biznesmenin arbab Muhamed Alabbar mund ta lërë tokën shtetërore që do të marrë falas nga shteti për të ndërtuar pallate, plot 800 mijë metër katrorë, si kolateral në bankë për të marrë kredi nëse do t’i duhet. Një rrezik ky, pasi nëse ai nuk e përfundon projektin dhe nuk e shlyen kredinë, të gjithë sipërfaqen e Portit të Durrësit mund ta marrin bankat. Një lloj skeme si ajo e ARMO-s ku shteti nuk përfitoi asgjë në fun, pasi edhe skrapin e kompanisë e morën bankat private.

Kontrata specifikon po ashtu se investitori ka vetëm 180 milionë dollarë në bankë për të nisur punën, pra më pak se 10 përfind të financimit. Është e kuptueshme që ai pret të shesë pallatet për të siguruar paratë (shitja ka nisur ende pa u miratuar marrëveshja dhe pa filluar projekti).

U konfirmua po ashtu se kompania gjigante e ndërtimit, EMAAR Group nuk ka asnjë lidhje me projektin dhe se Muhamed Alabbar vjen në Shqipëri me një kompani offshore, e cila nuk ka asnjë lidhje me EMAAR.

Marrëveshja e futur në parlament me procedurë të përshpejtuar dhe që u kundështua nga opozita, ngre kështu shumë pikëpyetje, të cilat opozita duhet t’i ngrejë me forcë në parlament.

  1. Përse projekti u dha pa garë kur dihet se mungesa e garës lë vend për abuzime?
  2. Si u arrit në konkluzionin që shteti duhet të marrë vetëm 2% të xhiros vjetore të Portit të Jahteve?
  3. A do të ketë garanci bankare prej 200 milionë eurosh (10%) nëse nuk realizohet investimi, siç ndodh për projekte të ngjashme?
  4. A do të bëhet Porti i Jahteve përpara pallateve apo do të ndodhë e kundërta?
  5. Sa është vlera e investimit vetem te Porti i Jahteve, pa pallatet që do të shesë kompania për hesapin e vet?
  6. A do të jetë Porti i Jahteve me koncesion apo i është shitur arabit?
  7. A ka shteti një dokument zyrtar se kush janë pronarët e kompanisë offshore që do të bëjë investimin?
  8. A është akuzuar pronari i saj për korrupsion në vendet e tjera?
  9. Pse shteti nuk vepron si pronar toke që ta japë atë me përqindje sa është vlera e tregut?
  10. A është antikushtetuese përjashtimi nga taksat për një projekt të veçantë, siç është përjashtimi i kësaj kompanie nga taksa e infrastrukturës dhe taksa e strehimit social?
  11. A do të lejohet kompania ndërtuese “Eagle Hills Real Estate Development” të pranojë financime të borxhit nga kompani të tjera dhe si do të kontrollohet futja e parave të tjera në këtë projekt?
  12. Përse shteti ka lejuar në kontratë që kompania offshore të fusë edhe investitorë të tjerë, në një numër të pacaktuar?
  13. Përse do të lejohet kompania offshore ta lërë tokën si kolateral në banka duke e ditur rrezikun që nëse nuk shlyen kredinë toka shtetërore mund të merret nga bankat?
  14. Përse po lejohet kompania të shesë apartamente “në ajër”, ende pa nisur puna për projektin kur dihet se kjo është në shkelje të ligjit?
  15. A ka menduar qeveria se me këtë projekt bizneset e Durrësit vdesin?