zoom

Aktualitet

ANALIZA/ Si mashtrohen shqiptarët me çmimin e naftës dhe përse paguajnë dyfish më shumë se rajoni

“Këtu, çmimi i naftës në Shqipëri, është shumë i shtrenjtë, në krasim me Gjermaninë. Pensionet… s’e gjetëm, tani cfarë do bëjmë?”

Kësaj pyetje të një gruaje pensioniste, Edi Rama iu përgjigj jo si kryeministër i një prej vendeve me çmimin më të lartë të naftës në botë, por si dikush që, kur ia plasin të vërtetat në fytyrë, kërkon të fshihet më kot pas klisheve, që për shkak të konsumit të tepërt janë bërë aq transparente sa nuk ia mbulojnë dot më lakuriqësinë rrenës.
“Po bën propagandë!” – tha. “Tek ai çmimi i naftës në Gjermani nuk është brenda taksa e qarkullimit. Domethënë… po përse e tund kokën? Drejtuesi i automjetit në Gjermani paguan naftën dhe paguan edhe një taksë të qarkullimit për makinat. Ne nuk e kemi këtë taksën e qarkullimit, ne i kemi të tëra aty, brenda tek çmimi i naftës.”

Por kush po bënte propagandë?

Zoom.al ka bërë një analizë të taksave që paguhen nga pronarët e automjeteve në rajon, specifikisht në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, nëpërmjet të cilës do të sjellë përgjigje për disa pyetje:
– Sa është taksa e qarkullimit që paguajnë sot shqiptarët në 1 vit? Sa ka qenë ajo para se të vendosej të mblidhej te çmimi i naftës, para vitit 2011? Sa paguajnë qyetarët në Kosovë e Maqedoninë e Veriut? Përse diferenca mes tyre dhe qytetarëve shqiptarë është kaq e lartë, ndërsa niveli i jetesës dhe të ardhurat për frymë janë pothuaj në të njëjtën shkallë?

SA PAGUANIN SHQIPTARËT PËR TAKSËN E QARKULLIMIT PARA SE TË MBLIDHEJ ME ÇMIMIN E NAFTËS?

Në vitin 2011 qeveria vendosi që taksa e qarkullimit të paguhej tek çmimi i naftës dhe jo në zyrat e taksave, me logjikën që “kush lëviz më shumë me makinë duhet të paguajë më shumë”. Deri në atë kohë, një pronar mjeti me naftë paguante 12,000 lekë taksë qarkullimi në vit, ndërsa pronari i një mjeti me benzinë 9,400 lekë taksë qarkullimi në vit.

SA E PAGUAJNË SOT SHQIPTARËT TAKSËN E QARKULLIMIT ?

Çmimi i naftës sot është 184 lekë për litër, ose afërsisht 1.84 euro. Një shqiptar shpenzon minimalisht mes 90 dhe 100 litër naftë në muaj, ose minimalisht 1 000 litër në vit. Harxhimi në lekë për një vit rezulton 184 000 lekë ose 1 840 euro në skenarin më të mirë.

Taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër. Për 1 000 litra që shpenzon një qyetar në vit, shuma e taksës arrin në 27,000 lekë ose 270 euro (27 x 1 200).

E thënë thjesht: Deri në vitin 2011, çdo pronar automjeti paguante nga 9 400 deri në 12 000 lekë, ndërsa sot paguan minimalisht 27 000 lekë ose të paktën 15 000 mijë lekë më shumë, afërsisht 150 euro. Sa më i lartë konsumi i naftës, aq më e madhe bëhet taksa qarkullimit dhe diferenca me vitin 2011.

SA PAGUHET NË RAJON?

Në Maqedoninë e Veriut drejtuesit e automjeteve paguajnë 80 deri në 120 euro taksë qarkullimi në vit.

Në Kosovë qytetarët paguajnë 78 euro taksë qarkullimi dhe 11 euro për komunën, në një total prej 89 eurosh në vit.

GËNJESHTRA SE TAKSA KA RRITUR ÇMIMIN, SHIHNI RAJONIN!

Në Maqedoninë e Veriut çmimi i naftës ishte sot 1.11 euro ose 111 lekë. Në Kosovë çmimi i naftës është 1.22 euro ose 122 lekë.

Le t’u shtojmë këtyre çmimeve taksën e qarkullimit që paguhen në këto vende për çdo 1 mijë litër naftë që është shifra e harxhuar mestarisht nga një qytetar shqiptar në vit, duke marrë si referencë taksën më të lartë të qarkullimit prej 120 euro në vit.

Në Kosovë, për 1 000 litër naftë që në qytetar shpenzon në vit me çmimin 1.22 euro, paguan 1 220 euro. Duke u shtuar këtyre litrave taksën e qarkullimit prej 89 eurosh, shuma totale arrin në 1 309 euro. Kështu, me gjithë taksën e qarkullimit, në Kosovë çmimi i naftës duhet të ishte 130 lekë ose 1.3 euro.

Në Maqedoninë e Veriut, çmimi do të duhej të ishte 120 lekë ose 1.2 euro, me gjithë taksën e qarkullimit.

PROPAGANDA NGA RAMA APO NGA PENSIONISTJA?

– Tani dolëm edhe te nafta? – iu drejtua Edi Rama pensionistes që rrinte tek shkallët e publikut në emisionin “Opinion” e që i ngriti zërin kreut të qeverisë sapo Fevziu i dha mundësinë që ajo të dëgjohej nga ai që i bie gjoksit se punon natë – ditë papushim për t’u zgjidhur hallet shqiptarëve.
– Po edhe te nafta do dal, se këto janë gjëra të përditshme, – iu përgjigj gruaja, si e çuditur që kryeministri i saj nuk e kuptonte dot realitetin dhe faktin se çmimi i naftës është kosto për çdo familje shqiptare, me apo pa pensionistë brenda.

– Tani, unë nuk e di se pensionistët janë shfrytëzues të naftës – tha kryetari i qeverisë, duke vërtetuar pikërisht silogjizmën se ai është shkëputur shumë nga jeta që bëjnë qytetarët e thjeshtë shqiptarë, teksa shëtit sa në zyrën me kosh basketbolli brenda aq në bahçe 4 milionë euroshe që i ka ndërtuar vetes brenda kryeministrisë.

7 TAKSAT QË PO “MBYSIN” SHQIPTARËT TE ÇMIMI I NAFTËS

Shqiptarët paguajnë 7 taksa në çdo litër karburant që blejnë, një nivel rekord kahasuar me vendet e tjera në botë. Rekord, për shkak të këtyre takave, është edhe çmimi i naftës që ata blejnë çdo ditë. Në Shqipëri, një litër naftë është më e shtrenjtë se në Gjermani, Portugali, Irlandë, Belgjikë, Angli, Estoni, Austri, Spanjë, Serbi, Kroaci, Bosnje – Hercegovinë, Mal të Zi, Suedi, Turqi etj, duke u renditur në vend të 10-të mes 41 vendeve europiane (shih tabelën poshtë), duke përmendur këtu edhe faktin se cilësia e naftës që tregtohet në Shqipëri lë për të dëshiruar, apo denoncimet në media se një pjesë e mirë e saj futet kontrabandë.

5 nga këto 7 taksa shkojnë në arkën e shtetit në mënyrë direkte. 2 të tjera u shkojnë koncesionarëve.

37 lekë për litër është akciza.
27 lekë për litër është taksa e qarkullimit.
3 lekë për litër është taksa e karbonit.
7 deri në 10 lekë për litër është taksa e rilicensimit
1 lekë për litër është taksa e markimit që e merr koncesionari
1.4 lekë për litër është taksa e skanimit që e merr koncesionari
30 lekë për litër është Tatimi i Vlerës së Shtuar (20 % e çmimit final)

Duke parë këto të dhëna, e zezë mbi të bardhë, çdo drejtues mjeti në Shqipëri, kur drejtohet në pikat e karburantit, duhet ta dijë se mbi 100 lekë apo 1 euro, ia paguan shtetit taksa.

Nëse mendojnë se këto taksa shkojnë për t’u përmirësuar infrastrukturën rrugore, siç duhet të ishte, gabohen, siç e tregojnë të dhënat zyrtare. Në vitin 2021, vetëm të ardhurat nga taksa e qarkullimit 18 herë më shumë se fondet e brendshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Të ardhurat nga taksat e automjeteve, duke përfshirë edhe taksën e qarkullimit mbi karburantin, arritën 26.7 miliardë lekë (217 milionë euro) në vitin 2021 me një rritje 13% në krahasim me vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Nga vlera e totale e taksave që paguan automjetet, 73 për qind (rreth 160 milionë euro) ishin të ardhura që u siguruan nga arkëtimet e taksës së qarkullimit.

Por fondet e brendshme për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore me 2021 ishin vetëm 1,1 miliardë lekë.

TAKSAT DHE ZGJEDHJET

Qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen pranverën e ardhshme kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re. Në çdo vend normal, taksat janë çështja kryesore në programet e partive politike.

Në të paktën 2 fushatat e fundit, Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama nuk ka prezantuar para qytetarëve programe qeverisëse, por fushatat janë shoqëruar me tallava, def e dajre e retorikë groteske.

Kushdo që t’i fitojë zgjedhjet e vitit të ardhshëm, shqiptarët do të duhet të shohin të mos mashtrohen më dhe të llogarisin se sa mund të kursenin duke u kërkuar partive politike që të kenë të paktën taksa e naftë të lirë si në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, Mal të Zi, Serbi e Kroaci.

Në mesin e akuzave se zgjedhjet vidhen me blerje masive të votave, shqiptarët duhet të llogarisin se vërtet politikanë e mbështetës të tyre mund t’u japin 50 apo 100 euro për votë, por u marrin 400 euro taksa vetëm nga nafta. Mjafton vetëm kaq për të ndërruar një qeveri. /Zoom.al

Postime të lidhura